Koreanoveriorët “ngacmojnë” japonezët, amerikanët: Mos testoni armë bërthamore, do të keni pasoja

Kim Jong -un, diktatori koreanoverior, është i bindur për të vijuar me testin e tij të shtatë bërthamor. Por për amerikanët, japonezët dhe fqinjët jugorë, kjo do të sillte pasoja të paprecendenta për vendin më të izoluar në botë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japonia dhe Koreja e Jugut paralajmëruan koreanoveriorët se një test i shtatë bërthamor i Koresë së Veriut do të sillte një "përgjigje të fortë dhe të paprecedentë" nga aleatët.

Vendi më i izoluar në botë është kthyer në një vatër tensioni në Gadishullin Korean duke shkaktuar trazira dhe acarime ushtarake me provat e veta të raketave.
Nëse do të ketë një provë tjetër, për të cilën koreanoveriorët janë zotuar se do ta kryejnë, japonezët, amerikanët dhe fqinjët jugorë janë zotuar për unitet në kundërpërgjigje.

Pas bisedimeve të zhvilluara këtë javë në Tokio, zëvendësministrat e jashtëm të tre vendeve thanë se do të rrisin fuqinë e tyre parandaluese në rajon.

"Ne ramë dakord për të forcuar më tej bashkëpunimin ... në mënyrë që Koreja e Veriut të ndalojë menjëherë aktivitetet e saj të paligjshme dhe t'i kthehet bisedimeve për denuklearizimin," tha zyrtari i lartë nga Korea e Jugut.

Seuli dhe Uashingtoni kanë paralajmëruar vazhdimisht se Pheniani mund të jetë afër testimit të një bombe atomike për herë të parë që nga viti 2017.

Më herët, një raketë koreanoveriore fluturoi mbi Japoni dhe u cilësua si provokim nga japonezët.

“E gjithë kjo sjellje është e pamatur dhe thellësisht destabilizuese”, tha zëvendëssekretarja amerikane e shtetit, Wendy Sherman.

Muajin e kaluar, udhëheqësi i Veriut Kim Jong-un e shpalli vendin një fuqi bërthamore negociatave mbi programin bërthamor.