Zelenski për dronët kamikazë: Rusia falimentoi. Shpenzuan miliarda për armë, tani përdorin të Iranit
Ndërsa ka ripërsëritur edhe njëherë se dronët kamikazë të lëshuar në Ukrainë janë marrë nga Irani, presidenti Zelenski e ka quajtur Rusinë të falimentuar ushtarakisht.
Të paktën 1/3 e infrastrukturës energjetike e Ukrainës është shkatërruar nga sulmet me dronë për të cilat presidenti Zelenski pretendon se janë marrë nga Irani.
Zoti Zelenski thotë se Moska ka falimentuar ushtarakisht për sa kohë i shtrin dorën Iranit për armatime.
"Duhet të kujtojmë se vetë fakti që Rusia ka kërkuar ndihmë nga Irani për dronë, tregon falimentin e saj ushtarak dhe politik.
Për dekada, ata kanë shpenzuar miliarda dollarë në kompleksin e tyre ushtarak-industrial dhe në fund janë përkulur para Teheranit për të marrë drone dhe raketa mjaft të thjeshta," tha ai.
Irani e mohon se furnizon Rusinë me dronë, dhe Kremlini ka thënë se nuk ka informacione nëse janë përdorur dronët kamikazë iranianë.
Mirëpo inteligjenca britanike ka thënë të ketë identifikuar dronët e përdorur nga Rusia si pajisje iraniane.
Departament amerikan i Shtetit është pajtuar po ashtu me këtë vlerësim.
Shtëpia e Bardhë e ka akuzuar Teheranin për gënjeshtra kur ka thënë se dronët iranianë nuk janë përdorur nga Rusia në Ukrainë.
Moska ka nisur një valë të re të sulmeve javën e kaluar, duke goditur banesa ndërtimi në disa qytete ukrainase.
