Publikohet video e parë e tubacioneve të çara të Nord Stream nën det
Imazhet e para të jashtëzakonshme të një gazsjellësi të prishur Nord Stream janë shfaqur, tre javë pasi u hodh në erë 'me forcë ekstreme' në një akt të dyshuar sabotimi.
Pamjet, të publikuara të martën, treguan se të paktën 50 metra të gazsjellësit Nord Stream 1 u dëmtua nën shtratin e detit, pas një shpërthimi më 26 shtator - i dyshuar se ishte një sulm rus.
Publikimi i imazheve erdhi pasi policia daneze tha se 'shpërthime të fuqishme' ishin pas dëmtimit të dy tubacioneve të gazit (Nord Stream 1 dhe 2) në pjesën daneze të Detit Baltik.
Më 6 tetor, hetuesit suedezë thanë se hetimet e tyre fillestare kishin arritur në një përfundim të ngjashëm.
Dy tubacionet Nord Stream u dëmtuan nga shpërthimet nën Detin Baltik në fund të shtatorit, duke shkaktuar katër rrjedhje.
Autoritetet suedeze dhe daneze kanë hetuar katër vrima në tubacionet Nord Stream 1 dhe 2. Ndërsa rrjedhjet ishin në ujërat ndërkombëtare, dy prej tyre ishin në zonën ekskluzive ekonomike daneze dhe dy prej tyre në atë suedeze.
Në videot e publikuara nga gazeta suedeze Expressen, një krisje masive dhe metali i përdredhur mund të shihet në tubacion, 80 metra poshtë nën oqean.
Ishte e paqartë saktësisht se cilën pjesë të gazsjellësit Nord Stream 1 u regjistrua video, por ka të ngjarë të jetë pjesa që Suedia ka hetuar, në veri-lindje të ishullit danez të Bornholm.
Tubacionet, të cilat lidhin Rusinë me Gjermaninë, kanë qenë në qendër të tensioneve gjeopolitike pasi Rusia ndërpreu furnizimin me gaz në Evropë si hakmarrje e dyshuar kundër sanksioneve perëndimore për pushtimin e Ukrainës nga Moska.