"Armiku te porta", Koreja e Veriut lëshon predha artilerie si paralajmërim për Jugun
Koreja Veriore ka provokuar sërish me predha atë të Jugut, por këtë herë shumë pranë kufirit. Pheniani thotë se predhat janë lëshuar si kundërpërgjigje ndaj stërvitjeve ushtarake të Seulit.
Koreja Veriore ka thënë të mërkurën se ka lëshuar predha artilerie në ujërat pranë kufirit me Korenë Jugore, si paralajmërim për stërvitjet ushtarake të Seulit.
Media shtetërore KCNA raportoi se të shtënat janë paralajmëruese drejt ujërave lindorë dhe perëndimorë ...si kundërpërgjigje ushtarake.
Sipas një deklarate të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë koreanoveriore është kërkuar që Sueli të ndalë menjëherë provokimet nxitëse, të cilat përshkallëzojnë tensionet ushtarake në frontin e luftës.
Koreja e Jugut akuzoi Phenianin se ka lëshuar më shumë se 250 predha artilerie në gjirin perëndimor dhe atë lindor në zonën kufitare që ndan dy vendet.
Seuli ka raportuar se asnjë prej predhave nuk ka kaluar në ujërat territorialë të Koresë Jugore.
Jugu ka nisur këtë javë stërvitjet ushtarake për mbrojtje, të cilat do të vazhdojnë deri më 28 tetor.
Koreanoveriorët i kanë konsideruar stërvitjet si veprime ushtarake armiqësore.
Situata në Gadishullin Korean është shumë e tensionuar, pasi Koreja e Veriut ka kryer disa teste me armë bërthamore në javët e fundit.
Qeveria në Phenian ka thënë se testimet kanë pasur synim që të simulojnë hedhjen e armëve bërthamore taktike në zonat e Koresë Jugore.
Rezolutat e Kombeve të Bashkuara ia ndalojnë Koresë Veriore testimin e të gjitha llojeve të raketave balistike.