Australia tërheq vendimin për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit

Australia ka rrëzuar vendimin që mori katër vjet më parë për të njohur Jerusalemin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit.
Sipas ministres së Jashtme të Australisë Penny Wong vendimi i vitit 2018 nga qeveria e Scot Morrison ka dëmtuar paqen dhe e ka vendosur Australinë jashtë hapit të shteteve.

 “Vendimi i zotit Morrison nuk ishte më shumë se sa një tentativë për të luajtur politikë për shkak të Komunitetit Hebre në vend. Edhe pse Ambasada ka qëndruar në Tel Aviv, vendimi rezultoi në ndryshimin e pozicionit të Australisë dhe e di që kjo ka shkaktuar konflikt dhe shqetësim në një pjesë të Komunitetit Australian dhe qeveria kërkon që ta zgjidhë atë sot” tha Penny Wong

Statusi i Jerusalemit është ndër çështjet më kontestuese në mes të Izraelit dhe palestinezëve.

Izraeli ka shprehur zhgënjim të thellë ndaj vendimit të Australisë dhe tha se do të marrë në pyetje ambasadorin e këtij shteti.


Ndërsa Palestina e ka mirëpritur vendimin të cilin e sheh si dhënie përparësie për krijimin e dy shteteve sipas ligjit ndërkombëtar.

Ish-presidenti Amerikan, Donald Trump është kritikuar në nivel global më 2017, kur ndryshoi politikën amerikane, duke njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Disa muaj më vonë, ish-kryeministri australian, Scott Morrison, ka thënë se Qeveria e tij do të veprojë njëjtë.

Kosova, Hondurasi dhe Guatemala janë shtetet e vetme, përveç Shteteve të Bashkuara, që kanë ambasadat në Jerusalem.

Izraeli e konsideron Jerusalemin si kryeqytet të pandarë, ndërsa palestinezët pretendojnë se Jerusalemi Lindor i pushtuar nga Izraeli në luftën e vitit 1967 do të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre në të ardhmen.

Statusi i Jerusalemit është në qendër të konfliktit izraelito-palestinez.

Sovraniteti i Izraelit mbi Jerusalemin nuk është njohur kurrë ndërkombëtarisht.