Putin e Erdogan ‘harrojnë’ Ukrainën, nuk diskutojnë për zgjidhjen e konfliktit

Ideja e presidentit Erdogan për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë nuk është diskutuar në Astana në takimin që lideri turk pati me presidentin Putin. Kremlini thotë se dy presidentët kanë folur vetëm për çështje ekonomike.

Presidenti Putin dhe homologu i tij turk Erdogan mesa duket nuk kanë diskutuar për idenë e Ankarasë e cila kërkoi më herët që të bëhej ndërmjetëse për zgjidhjen e konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë.

Në takimin me dyer të mbyllura që dy liderët patën në Astana të Kazakistanit në kuadër të dy samiteve rajonale kanë folur për çështje të karakterit ekonomik.

"Presidenti Putin dhe presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan nuk diskutuan për temën e zgjidhjes së konfliktit ruso-ukrainas në takimin që patën në Astana", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov.

Në fund të muajit shtator, presidenti Erdogan në një bisedë telefonike me liderin rus Vladimir Putin i kërkoi atij t'i jepte një shans bisedimeve me Kievin.

Sipas tij, Ankaraja është e gatshme të bëhet ndërmjetëse.

Sipas zëdhënësit të Kremlinit, udhëheqësit e Rusisë dhe Turqisë Putin dhe Erdogan në takimin e së enjtes diskutuan për mundësinë e krijimit të një qendre gazi.

Presidenti Putin tha më herët se Moska mund të lëvizë transitin e gazit nga Nord Stream në rajonin e Detit të Zi dhe në Turqi.