Rusia sulmon me dronë rajonin e Kievit, është synuar infrastruktura
Sulmet e së enjtes me dronë "kamikaze" vijnë pas tre ditëve radhazi të sulmeve vdekjeprurëse ruse ndaj objektivave civile në të gjithë Ukrainën, duke përfshirë rajonin e kryeqytetit.
"Tre dronë "kamikaze" goditën rrethin e Bucha, në rajonin e Kievit", tha kreu i policisë së rajonit të Kievit Andrii Nebytov.
"Sonte, armiku kreu një sërë sulmesh në infrastrukturën e rajonit të Kievit. Si rezultat i shpërthimeve vendi u përfshi në flakë," tha ai në një postim në Telegram të enjten.
Sipas vlerësimeve paraprake nuk ka viktima.
Shefi i policisë nuk dha hollësi se çfarë lloj objektesh infrastrukturore ishin në shënjestër në Buça.
Dronët gjithashtu goditën objektiva në komunitetin Makariv në rajonin e Kievit gjatë natës.
Oleksii Kuleba, kreu i administratës ushtarake të rajonit të Kievit, gjithashtu postoi në lidhje me dronët në Telegram.
"Sot, rreth orës 5 të mëngjesit, rusët kryen një sulm në rajonin e Kievit. Në një nga komunitetet e rajonit, pati tre sulme nga dronët kamikaze të armikut në një objekt të infrastrukturës. Kjo shkaktoi një zjarr," tha ai.
"Nuk ka viktima. Në orën 06:45 është lokalizuar zjarri, nuk është përhapur. Në shuarjen e zjarrit janë përfshirë 43 persona dhe 12 njësi të pajisjeve të shërbimit emergjent", shtoi Kuleba.
Ai u kërkoi banorëve që të mos filmojnë vendndodhjen e sulmeve ose të mos e shpërndajnë në mediat sociale.
"Mos specifikoni vendndodhjet dhe vendet e goditjeve në hyrje. Jini përgjegjës, sepse siguria jonë varet nga kjo."
