E djathta italiane në punë për skuadrën e qeverisë së re, pas 9 vitesh në senat rikthehet "kavalieri"

"Do të jetë qeveria më politike se kurrë më parë, pasi ka mandatin popullor", është deklarata e bërë nga Kryeministrja e ardhshme italiane Giorgia Meloni përmes faqes zyrtare në social, duke hedhur poshtë aludimet e kritiket e medias italiane e internacionale se e djathta italiane, po kërkon emra ministrash teknikë e jo politikë për ekzekutivin e ri.

Orë intesive pune për qëndrën e djathtë italiane që ka intesifikuar kontaktet mes liderëve për të mbyllur sa më parë, listën e ministrave të ekzekutivit të ri, që brenda pak ditësh pritet të marrë bekimin nga Presidenti Sergio Mattarella.

Lideri i Forza Italia, ish kryeministri Silvio Berlsuconi është transferuar nga Milano në Romë, ku pak orë më parë ka zhvilluar një takim kokë më kokë me Mattteo Salvinin, e sot pritet që në rezidencën e tij romane,  së bashku të takohen me kryeministren e ardhshme Giorgia Meloni.

Pas 9 vitesh mungesë, prej vitit 2013 kur u dënua për mashtrim fiskal, kavalier Berslusconi rikthehet në Parlamentin italian e brenda pak orësh do të jetë një nga 200 senatorët e rinj të legjislaturës së re.

Liderja e Fratelli D'Italia, Giorgia Meloni ka takuar pak orë më parë nën sekretarët e Partisë Lidhja, Giancarlo Giorgetti e Carlo Fontana si dhe krerët si dhe grupeve parlamentare të kësaj force politike, e hipoteza e mundshme është se Partia Lidhja mund të mbuloj postin e Ministrisë së Ekonomisë e një nga dikasteret më të vështira në këtë moment kritik për Italinë e për botën.

"Jemi duke punuar, po punojmë të kryejmë gjërat shpejt e kush na akuzon se po vonohemi, i kujtoj se në qeveri është ende Draghi e ne akoma nuk kemi marrë mandatin e ri. Sapo ta kemi, diheni se nuk do të vonojmë asnjë minutë, e kjo vlen dhe për propozimet e emrave që do të drejtojnë dy dhomat e Parlamentit," tha ajo.

Partia Fratelli D'Italia në një notë zyrtare informon se në tavolinën e punës së KM së ardhshme janë dosjet më të nxehta që Italisë i duhet të përballoj menjëherë, që nga kosto e energjisë, sigurimi i gazit e furnizimi energjitik e deri tek buxheti i ri.

Të enjten më datë 13 tetor është akti i parë formal i nisjes së Legjislaturës së XIX italiane me zgjedhjen e dy kryetarëve të Dhomës së Deputetëve dhe Dhomës së Senatit e më pas do të vazhdohet me krijimin e grupeve paralmentare e zgjedhjen e kryetarëve të tyre.

E menjëherë më pas,  rruga është e lirë për nisjen e konsultimeve me kreun e shtetit për formimin e qeverisë së re.