Raporti i KE-së: Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave

Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Kështu thuhet në draft raportin e KE-së për progresin në vendet e Ballkanit Perëndimor teksa vihet re se progresi i Kosovës ka qenë i kufizuar dhe se duhet të punohet më shumë.

Raporti i KE-së: Kosova i ka përmbushur kriteret për

Komisioni Europian ka nxjerrë draft raportin për progresin në vendet e Ballkanit Perëndimor që pritet të miratohet më 12 Tetor.

Ajo që vihet re është pikërisht ndikimi në Ballkanin Perëndimor nga ndryshimet e rrethanave globale pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Sa i përket Kosovës, në draftin e raportit të progresit, vendi veçohet për disa përparime që ka bërë, por, në të shumtën e rasteve, progresi thuhet se ka qenë i kufizuar dhe se duhet të punohet më shumë.

Në aspektin politik, Kosova vlerësohet për përshtatjen me qëndrimet e BE-së ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Përsëritet se Komisioni Evropian mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Aty, po ashtu, theksohet se ka një ndjenjë që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje.

Ndërkohë sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në draft-raport thuhet se ka pasur takime të rregullta në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, ndërsa përmendet edhe takimi më 18 Gusht midis liderëve të të dyja shteteve.

KËTU LAJMET MINUTË PAS MINUTE

Aty përmendet edhe pajtimi për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjeve të energjisë dhe për udhëtimin vetëm me letërnjoftime midis Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, nga të dyja vendet kërkohet angazhim urgjent për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që do t’i normalizonte marrëdhëniet mes tyre.

Komisioni Europian në këtë draft raport merret në mënyrë të veçantë me situatën ekonomike, zbatimin e planit evropian për investime në Ballkanin Perëndimor, agjendën e gjelbër evropiane, planet për prokurim të përbashkët të energjisë dhe përshtatjen e vendeve të këtij rajoni me politikat e BE-së.