Takimi kritik në Pragë, Erdogan ul në një tryezë presidentin e Azerbajxhanit dhe kryeministrin e Armenisë
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan u takua sot me kryeministrin e Armenisë Nikol Pashinyan në Pragë.
Të dy po marrin pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, i cili ka mbledhur liderët botërorë.
Takimi përbën një nga takimet më të rëndësishme mes Turqisë dhe Armenisë në 30 vitet e fundit. Hera e fundit që të dy vendet u takuan në nivel liderësh ishte në vitin 2009.
Të dy liderët nuk mund të takoheshin në atë kohë, pasi Pashinyan hoqi dorë në minutën e fundit për të marrë pjesë në takimin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) të mbajtur në Uzbekistan më 16 shtator.
Para takimeve dypalëshe në Pragë, rreth orës 15.00 u zhvillua një takim historik. Presidenti Erdogan mblodhi Aliyev dhe Pashinyan në një tryezë të përbashkët.
Kujtojmë që në shtator pati një rritje tensionesh mes Azerbajxhanit dhe Armenisë që la pas viktima.


