Kush është fajtor për ‘sabotimin’ e tubacioneve ruse?

Rrjedhjet masive që shpërthyen papritur në tubacionet e gazit të Rrjedhës Veriore, që kalojnë nga Rusia për në Evropë nën Detin Baltik, kanë bërë që të dalin shumë teori. Por, ka pak përgjigje të qarta se kush apo çfarë i shkaktoi këto dëme.

Më poshtë mund të mësoni se çfarë dihet deri më tani për këto rrjedhje të gazit.

Kush është fajtor?

Teksa hetimet e autoriteteve evropiane po vazhdojnë, policia suedeze tha më 6 tetor se dyshimet për sabotim të madh në tubacionet e gazit janë forcuar, pas hetimeve të kryera në vendngjarje.

Danimarka po ashtu po kryhen një hetim dhe së bashku me Suedinë, kanë përjashtuar mundësinë që Rusia të përfshihet në hetime.

Ministria e Jashtme ruse tha të enjten se “është e paimagjinueshme” që një hetim për rrjedhjet nga gazsjellësit rusë Rrjedha Veriore 1 dhe 2, të vazhdojë pa pjesëmarrjen e Moskës.

Deri më tani, qeveritë perëndimore dhe zyrtarët kanë shmangur që të fajësojnë direkt dikë, ndërkaq Rusia ka fajësuar Perëndimin për katër rrjedhjet në tubacionet ruse.

Fatih Birol, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, tha se “është shumë e qartë” se kush qëndron pas kësaj, por nuk pranoi të specifikonte se për kë po fliste.

Kremlini tha se pretendimet për përgjegjësinë ruse ishin “budallallëk” dhe zyrtarët rusë thanë se Uashingtoni ka pasur motiv që të bëjë diçka të tillë, pasi sipas tyre, ai dëshiron që të shesë më shumë gaz të lëngshëm natyror në Evropë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, javën e kaluar tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj “hodhën në ajër” Rrjedhën Veriore. “Sanksionet nuk ishin të mjaftueshme për anglosaksonët: ata lëvizën drejt sabotimit”, tha ai.

Në deklarimet e mëhershme, Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë akuzat se qëndron pas rrjedhjeve në tubacionet ruse. Presidenti amerikan, Joe Biden, tha më 30 shtator se dëmet në Rrjedhën Veriore 1 dhe 2 ishin akt i qëllimshëm i sabotimit.

Pse duhej të sabotohej gazsjellësi?

Shefi i Marinës gjermane, Jan Christian Kaack, tha më 26 shtator për Die Welt – në ditën kur u raportuan rrjedhjet, edhe pse ai këtë intervistë e kishte dhënë më herët – se “Rusia po ashtu ka ndërtuar kapacitete të konsiderueshme nën ujë.

Në shtratin e Detit Baltik, por edhe në Atlantik, ka infrastrukturë mjaft kritike, sikurse tubacione apo kabllo nënujore për teknologji informative”, tha ai.

Përgjatë gazsjellësit të Rrjedhës Veriore, një gazsjellës i ri është ndërtuar nga dy shtetet që prodhojnë gaz, Norvegjia dhe Polonia.

Këto dy shtete po synojnë që t’i japin fund varësisë nga energjia ruse, duke e bërë këtë rajon shumë të ndjeshëm për sigurinë energjetike të Evropës.

“[Rusia] nuk mund të kërcënojë evropianët përmes aktit të sabotimit. Sepse, nëse ata janë në gjendje të hedhin në ajër këto tubacione që gjenden në shtratin e Baltikut, ata mund ta bëjnë të njëjtën gjë edhe ndaj tubacionit të ri”, tha Kristine Berzina, hulumtuese e lartë për siguri dhe mbrojtje në Fondin Gjerman Marshall.