Lionel Messi e konfirmon: Botërori i fundit për mua në Katar!

Botërori dhe mundësia e fundit për të fituar trofeun më prestigjoz të lojës së futbollit. Lionel Messi, sot në moshën 35-vjeçare deklaron atë që të gjithë e kanë pritur në njëfarë mënyre, mbylljen e kapitullit në një botëror pas Katar 2022. Ky do të jetë botërori i pestë ku do të marrë pjesë argjentinasi fitues i 7 Topave të Artë.

“Ky do të jetë botërori im i fundit, me siguri. Vendimin e kam marrë tashmë”, thekson legjenda e Barcelonës që numëron 6 gola në 19 ndeshje në Kupën e Botës. Finalen e vetme Messi e ka luajtur në vitin 2014 ku Argjentina u mund nga Gjermania me gol të Mario Gotze në kohën shtesë.

Trofeu i Kupës së Botës është i vetmi që mungon në palmaresin e numrit 10, i cili triumfoi për herë të parë në Kupën e Amerikës sezonin e kaluar pas suksesit të Argjentinës ndaj Brazilit. Momentalisht ai ka një kontratë deri në vitin 2023 me PSG por gjatë ditëve të fundit kanë gjetur konfirmim zërat për një rikthim të mundshëm në Barcelonë.