Lufta në Ukrainë: Shefi i centralit bërthamor Zaporizhzhia arrestohet nga rusët

Trupat ruse kanë arrestuar drejtorin e termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia të Ukrainës, thotë rregullatori shtetëror bërthamor i Ukrainës Enerhoatom.

Ihor Murashov u kap teksa makina e tij po udhëtonte nga objekti për në qytetin e afërt të Enerhodar rreth orës 16:00 me kohën lokale (13:00 GMT) të premten.

Më pas, atij iu lidhën sytë dhe besohet se u dërgua në një burg në Enerhodar, tha presidenti i Enerhoatom për BBC. Rusia nuk e ka komentuar ndodhinë.

Moska kapi centralin më të madh bërthamor në Evropë në mars dhe mbajti aty stafin e saj ukrainas.

Si Ukraina ashtu edhe Rusia akuzojnë njëra-tjetrën për bombardime të vazhdueshme të uzinës, mes shqetësimeve globale se kjo mund të çojë në një incident të madh rrezatimi në Evropë.

Në një deklaratë të botuar të shtunën, presidenti i Enerhoatom, Petro Kotin tha se Murashov "mban përgjegjësinë kryesore dhe ekskluzive për sigurinë bërthamore dhe rrezatuese" të uzinës bërthamore.

Ai tha se ndalimi i së premtes "vë në rrezik sigurinë e funksionimit të Ukrainës dhe termocentralit më të madh bërthamor në Evropë".

Përveç kësaj, ai  tha se ndalimi ndodhi pasi Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës , duke përfshirë Zaporizhzhia.

Kontin tha se përfaqësuesit e kompanisë shtetërore bërthamore ruse Rosatom e kishin vizituar centralin "vetëm dy ditë më parë". Ata thanë se termocentrali do të transferohej nga kontrolli ukrainas në kontrollin e Rosatom në përputhje me aneksimin e rajonit.

Kontin tha se ai besonte se masa për të rrëmbyer Musharov ishte një përpjekje për ta detyruar atë të pranonte transferimin e termocentralit nga Ukraina në Rusi.

Presidenti i uzinës i bëri thirrje Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të shefit të termocentralit, duke akuzuar Rusinë për "terrorizëm bërthamor".

Centrali bërthamor me gjashtë reaktorë Zaporizhzhia ndodhet pranë Enerhodar, në pjesën e pushtuar të rajonit jugor të Ukrainës Zaporizhzhia.

Të premten, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi aneksimin e rajoneve Zaporizhzhia, Kherson, Donetsk dhe Luhansk - një veprim i dënuar gjerësisht nga Ukraina dhe Perëndimi.