Kush do të bjerë i pari nga pushteti? Shumica e vjetër nis procedurën për shkarkimin e Gjukanoviç
Iniciativa e presidentit të Malit të Zi për të shpërndarë parlamentin ka nxitur një kundër ofensivë kundër Millo Gjukanoviç nga shumica e vjetër parlamentare. Ata kërkojnë shkarkimin e kreut të shtetit, ndërsa vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese.
Deputetët malazezë të shumicës së vjetër parlamentare që dolën nga zgjedhjet e 2020 kanë iniciuar procedurën për shkarkimin e presidentit me arsyetimin se Millo Gjukanoviç ka shkelur Kushtetutën.
Pretendimi i tyre do të kërkonte opinionin e Gjykatës Kushtetuese e cila nuk ka kuorumin e nevojshëm pasi i mungojnë 4 gjyqtarë, zgjedhja e të cilëve është bllokuar nga Kuvendi.
Nisma e shumicës së vjetër vjen pasi kreu i shtetit kërkoi shkurtimin e Kuvendit me qëllim mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Shumica e vjetër parlamentare pro-ruse zgjodhi pasardhësin e Dritan Abazoviç i cili nuk u mandatua nga presidenti Gjukanoviç pasi sipas tij Miodrag Lekiç nuk do të votohej nga Kuvendi prej 81 deputetësh.
Të enjten Gjukanoviç kërcënoi me shpërndarje parlamenti nëse Kuvendi nuk voton shkarkimin e mandatit të tij.
"Ekziston mundësia e miratimit të një dekreti për shpërndarjen e parlamentit, por ne do të arrijmë në një zgjidhje që do të respektojë germën dhe frymën e Kushtetutës," tha ai.
Seanca për shkurtimin e mandatit të kuvendit pritet të mbahet në 30 shtator me propozimin e Gjukanoviç.
Kreu i shtetit tha se 30 shtatori do të nxjerrë në pah deputetët që mbrojnë interesat kombëtare të vendit.