Burri donte të shikonte nëse Mbretëresha ishte brenda në arkivol, incidenti në ceremoninë e varrimit
Një burrë, që u përpoq të hiqte flamurin që mbështillte arkivolin e Mbretëreshës Elizabeth gjatë ceremonisë mortore, pasi nuk besonte se kishte vdekur, doli para gjykatës.
Prokuroria pretendon se Muhammad Khan donte të shikonte në arkivol për të "kontrolluar vetë" nëse mbretëresha ishte atje apo jo.
28 vjeçari dyshohet se kishte planifikuar gjithashtu të shkonte në rezidencat mbretërore në "përpjekje të krijonte kontakt" me monarkun.
Ai u lirua me kusht që të qëndrojë në një spital të shëndetit mendor deri në seancën e ardhshme gjyqësore, informon BBC.
Mjekët e vlerësuan Khan si të paaftë për të marrë pjesë në procedurat e Gjykatës së Magjistraturës së Westminsterit, ku ai akuzohet për dy vepra penale, sipas Ligjit për Rendin Publik.
"Ai mendon se Mbretëresha nuk ka vdekur, mendon se mbreti Charles ka të bëjë me këtë dhe mund të shkojë në Kështjellën Windsor për të nderuar, sepse ai ende mendon se ajo është gjallë."
Khan ishte në mesin e rreth 250,000 njerëzve që hynë për të kryer nderimet para arkivolit të mbretëreshës.
