Serbët rrahin policët e aktivistët në Beograd pas paradës së LGBTI+, mes tyre edhe shqiptarë
Një ditë pas mbajtjes së marshimit të komunitetit LGBT të kontinentit në Beograd, kanë dalë pamjet e tifozëve serbë të cilët qëllojnë policinë në formë proteste ndaj mbajtjes së Paradës së Krenarisë pas së cilës u sulmuan edhe disa shqiptarë.
Ka qenë kjo protesta e tifozëve ultras të futbollit në Beograd kundër mbajtjes së të ashtuquajturës Parada e Krenarisë të komunitetit LGBT në Serbi, pas marshimit të komunitetit LGBT.
Në pamundësi për të goditur tubuesit të cilët mundën të largoheshin, një grup i veshur me rroba të zeza e maska që mbanin në duar shkopinj bejsbolli kanë sulmuar automjetet e policisë dhe kanë hedhur flakadanë ndaj efektivëve.
Të paktën 10 efektivë kanë mbetur të plagosur ndërsa mbi 60 persona janë shoqëruar në komisariate pasi sulmuan forcat e rendit me mjete piroteknike dhe sende të forta të improvizuara.
Burimet për Ora News bënë me dije se një grup shqiptarësh prej 10 personash që morën pjesë në paradë u sulmua nga disa serbë.
Sipas raportimeve ata ndodheshin rreth 10 metra larg policisë në momentin e sulmit të cilët dyshohet se nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar dhunën.
Mbështetësit e komunitetit LGBT u mblodhën në Beograd më 17 shtator, pavarësisht se autoritetet serbe ndaluan mbajtjen e marshit të EuroPride.
Mbi 5000 forca policore u angazhuan për të mundësuar aktivitetin për të cilin Ministria e Brendshme shpalli moskopetencë për shkak të dhunës potenciale dhe prishjes së rendit publik në shkallë të gjerë.
Dyshimet e autoriteteve të rendit erdhën pas kundërshtisë që shfaqën grupet e lidhura me Kishën Ortodokse Serbe të cilët protestuan disa ditë përpara mbajtjes së paradës.
EuroPride është një aktivitet që promovon komunitetin LGBT, të cilët ata e quajnë parada e krenarisë dhe mbahet në nivel evropian që prej vitit 1992 në qytete të ndryshme të kontinentit.

