“Ukraina e lirë” qendra e fjalimit të shefes së KE, homazhe për gazetarinë e guximshme
Shefja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen ka mbajtur fjalimin e saj të përvitshëm që adreson fokusin e politikës evropiane. Evropa do të jetë në krah të Ukrainës në këtë luftë, por edhe në ndërtimin e paqes, tha shefja e Komisionit. Ajo solli në vëmendje gazetarinë e guximshme kundër pushteteve abuzive, duke përmendur gazetaren ruse Anna Politkovskaya.
E veshur ngjashëm me flamurin e Ukrainës dhe me flamurin e Bashkimit Evropian, Shefja e Komisionit Evropian mbajti këtë të mërkurë fjalimin që adreson fokusin politik të shteteve anëtare Bashkimit Evropian.
Në prani të zonjës së parë të Ukrainës, Olena Zelenska, shefja e Komisionit Evropian tha se liria e Ukrainës është në qendër të vëmendjes së Evropës. BE-ja do të ndihmojë që Ukraina të rindërtohet në të gjitha fushat – arsim, bujqësi, infrastrukturë, energjitikë.
Sa i përket Rusisë, shefja e Komisionit tha se ishte vetë Kremlini që zgjodhi këtë rrugë vetëvrasëse për ekonominë ruse. Mijëra firma janë duke falimentuar, teksa Kremlini ka në fokus pushtimin e një vendi tjetër, tha der Leyen.
Duhet t’i kishim dëgjuar me kohë ata që e njohin Putinin, tha shefja e Komisionit. Ajo solli në vëmendjen gazetaren Ana Politkovskaya, e cila dyshohet se është vrarë nga Kremlini për guximin e saj professional.
Sa i përket dimrit dhe furnizimit me gaz, der Leyen tha se Evropa i ka marrë masat më së miri, duke e ulur nevojën për gaz rus në kuotën e 9 %, nga 40 % që ishte një vit më parë. Do të shohim për ta diversifikuar furnizimin, teksa Norvegjia, Algjeria dhe Amerika do të na ndihmojnë, tha shefja e Komisionit.
Ajo solli në vëmendje se evropianët i mbështesin në kuotën mbi 85 % vendimet e Bashkimit Evropian për të ndihmuar Ukrainën dhe për të vënë Rusinë përpara përgjegjësisë për veprimet e saj.
Shefja e Komisionit njoftoi gjithashtu edhe një vizitë në Kiev për të treguar solidaritetin e saj me luftën për liri të popullit të ukrainas.
