Mbretëresha ka mbërritur në "shtëpinë" e saj, trupi i Elizabeth është në Buckingham

Pesë minuta pas orës 21:00, rrugëtimi i gjatë i trupit të mbretëreshës Elizabeth për në “shtëpinë” e saj, Buckingham Palace, mori fund.

Portat e pallatit  u hapën për të mirëpritur makinën e funeralit që mbante arkivolin me trupin e monarkes 96-vjeçare, më jetëgjata që ka njohur Britania dhe bota.

Avioni që transportonte trupin e mbretëreshës Elizabeth për në Pallatin Buckingham u ul në Londër pak minuta para orës 20:00.

Arkivoli me trupin e monarkut më jetëgjatë në historinë e Britanisë së Madhe kishte nisur rrugëtimin nga Katedralja e Edinburgut.

Në orën 19:00 të mbrëmjes u bë nisja me një fluturim RAF, nga aeroporti i qytetit skocez, me destinacion final Londrën dhe aeroportin ushtarak të Northold.

Aty, ndër të tjera, është pritur nga kryeministrja britanike, Liz Truss.

Në orën 20:10, makina e funeralit filloi udhëtimin e saj të shkurtër për në Buckingham. Në një procesion zie në Londrën me shi, rrugët u mbyllën dhe automjeti u parapri nga tre policë të trafikut, me motoçikletat e tyre.

Shumë londinez, por edhe turistë, po regjistronin momentet historike në celularët e tyre teksa autokolona iu afrua pallateve.

Aty, pas hekurave mbrojtëse të Policisë, mijëra njerëz prisnin me durim për të parë, qoftë edhe nga larg,  makinën me arkivolin që hynte në pallat.

Trupi i mbretëreshës u shoqërua nga Princesha Royal, Anne dhe bashkëshorti i saj, Admirali Sir Timothy Lawrence.

Në orën 21:05, pas një “udhëtimi” 55-minutësh drejt kryeqytetit britanik, makina e funeralit mbërriti në portat e Buckingham, të cilat u hapën për ta pritur.

Mbreti Charles dhe gruaja e tij, Camilla, prisnin arkivolin në Pallat. Të pranishëm janë edhe Princi me Princeshën e Uellsit, William dhe Kate.

Arkivoli i mbretëreshës do të vendoset në dhomën e harkut të Buckingham gjatë gjithë natës.

Të mërkurën në mbrëmje do të ekspozohet në Westminster, ku publiku do të mund të bëjë nderimet e tyre nga ora 18:00 deri në orën 19:30.