Telefonatë me kreun e Kremlinit, Scholz i bën thirrje Putinit të tërhiqet nga Ukraina

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë një telefonate sot me Putin i kërkoi atij tërheqjen e plotë të trupave ruse nga Ukraina.

Gjatë bisedës të martën pasdite, kancelari këmbënguli "që një zgjidhje diplomatike të gjendet sa më shpejt të jetë e mundur", tha zëdhënësi i qeverisë Steffen Hebestreit.

Kjo zgjidhje diplomatike duhet të bazohet në një armëpushim, një tërheqje të plotë të trupave ruse dhe respekt për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.

Kancelari e bëri gjithashtu të qartë se hapat e mëtejshëm të aneksimit nga Rusia nuk do të mbeten pa përgjigje dhe nuk do të njihen në asnjë rrethanë.

Kancelari trajtoi gjithashtu situatën në termocentralin bërthamor Zaporizhia, theksoi nevojën për të garantuar sigurinë, për të shmangur hapat e përshkallëzimit dhe zbatimin e menjëhershëm të masave të rekomanduara në raportin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

Scholz gjithashtu i bëri thirrje Putinit që të vazhdojë të zbatojë plotësisht marrëveshjen e grurit të rënë dakord me OKB-në dhe Turqinë në mënyrë që të lehtësojë situatën globale të ushqimit, e cila ishte përkeqësuar nga lufta e agresionit.

Javën e kaluar, Scholz telefonoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Rusët kanë pësuar kohët e fundit humbje serioze dhe ju desh që të tërhiqeshin nga zonat lindore të Ukrainës me nxitim.

Në funksion të kundërsulmimit të saj të vazhdueshëm, Ukraina po i qëndron qëllimit të saj për të çliruar plotësisht zonat e pushtuara nga Rusia dhe po këshillon urgjentisht Perëndimin të vazhdojë furnizimin me armë.

Forcat e armatosura po bëjnë përparim të mirë në veri-perëndim rreth qytetit të dytë më të madh ukrainas të Kharkiv, tha të martën zëvendësministrja e Mbrojtjes Hanna Maljar.

"Kjo për shkak se trupat janë shumë të motivuar dhe operacioni është planifikuar mirë".

"Lufta vazhdon," tha Maljar, duke shtuar: “Qëllimi është të çlirohet rajoni i Kharkivit dhe më gjerë të gjitha zonat e pushtuara nga Federata Ruse”.