Vdekja e Mbretëreshës Elisabeth II, Mbreti Charles shpall zinë mbretërore për 17 ditë
Mbreti Charles III ka shpallur një periudhë zie prej 17 ditësh për vdekjen e monarkes Elisabeth II.
Mbreti Charles III ka kërkuar që të mbahet një periudhë zie mbretërore nga e premtja deri në shtatë ditë pas funeralit të Mbretëreshës, sipas një deklarate të Pallatit Buckingham, e cila shtoi se data e funeralit do të konfirmohet "në kohën e duhur".
Rezidencat mbretërore do të mbyllen deri pas funeralit të Mbretëreshës, sipas Pallatit.
Zia Mbretërore është një proces më vete nga Zia Kombëtare, e cila gjithashtu filloi të Premten.
Periudha e Zisë Mbretërore do të respektohet nga "Anëtarët e familjes mbretërore, stafi i familjes mbretërore dhe përfaqësuesit e familjes mbretërore në detyra zyrtare, së bashku me trupat e angazhuar në detyrat ceremoniale", sipas deklaratës së Pallatit Buckingham.
Mbretëresha ndërroi jetë ditën e djeshme në moshën 96 vjeçare.
Homazhe nga e gjithë bota po zhvillohen sot, në nder të monarkes më jetëgjatë në historinë e Britanisë.


