Tirana zyrtare përcjell ngushëllimet për ndarjen nga jeta të monarkes britanike

Tirana zyrtare ka përcjellë ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mbretëreshës Elizabeth, monarkja më jetëgjatë e Britanisë dhe kryetarja e shtetit për shtatë dekada, e cila vdiq këtë të enjte (8 shtator) në moshën 96-vjeçare.

Presidenti Bajram Begaj shkruan se Elisabeth ishte një mbretëreshë me zemër të madhe që do mbahet mend me admirim.

“Ngushëllime të ndjera Familjes Mbretërore, popullit të Mbretërisë së Bashkuar dhe Komonuellthit për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elizabet II. Ajo ishte një mbretëreshë me zemër të madhe, forcë e kuraje te jashtëzakonshme dhe do të kujtohet gjithnjë me respekt dhe admirim”, shkruan Begaj.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, vlerësoi rolin e saj si përbashkuese e kombit.

“Ndarja nga jeta e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elisabeta II, është një lajm i trishtuar jo vetëm për popullin e Mbretërisë së Bashkuar, por për gjithë njerëzimin. Një jetë e tërë në shërbim të kombit, të shtetit dhe qytetarëve!Mbretëresha Elisabeta II, përbashkuesja e kombit, e pranuar gjerësisht si simbol i stabilitetit të Mbretërisë së Bashkuar dhe botës, e  ndihmoi vendin e saj në ndryshimet e mëdha përgjatë shtatë dekadave, për forcimin e identitetit kombëtar,  rritjen e ndikimit gjeopolitik dhe të pozitës ndërkombëtare.Pushofshi në paqe, Madhëria Juaj!”, shkruan Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.

Kryeministri Edi Rama postoi një foto të saj me mbishkrimin.

“Lamtumirë mbretëreshë”.

Ngushëllime përcolli dhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme..

"Me dhimbje të madhe dëgjuam lajmin për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elizabeth. Gjatë mbretërimit të saj 70 vjeçar ajo dha udhëzime, motivim, vizion dhe stabilitet për Britaninë, një figurë respekti dhe admirimi për pjesën tjetër të botës . Ne ofrojmë @Familja mbretërore dhe njerëzve të saj  ngushëllimeve tona të përzemërta"- shkroi Xhaçka.

Për lajmin e trishtë reagoi dhe politika. Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta,  thotë se është i trishtuar ndërsa shkruan se mbretëresha është e admiruar në mbarë botën për lidershipin frymëzues.

“Thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të Madhërisë së Saj, Elizabeth II, e admiruar në mbarë botën për lidershipin frymëzues, përkushtimin dhe angazhimin e saj të pathyeshëm! Duke vlerësuar lart kontributin e Saj të jashtëzakonshëm për forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, jam i bindur se figura dhe Udhëheqja e Saj e dalluar publike dhe ndërkombëtare do të kujtohet përherë me respektin më të thellë. Ngushëllimet më të sinqerta për Familjen Mbretërore, Qeverinë dhe popullin britanik, si dhe të gjithë Komonuelthin për këtë humbje të madhe”, shkruan Meta.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, gjithashtu thotë se Mbretëresha më jetëgjatë në historinë e Britanisë do të mbahet mend për një kohë të gjatë si gruaja që mishëroi qetësinë dhe stabilitetin në një botë të trazuar me shumë sfida.

"Ngushëllimet e mia më të thella për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elizabeth II. Një grua e admirueshme, një jetë në shërbim të qytetarëve, personifikimi unik i demokracisë britanike.  Mbretëresha më jetëgjatë në historinë e Britanisë do të mbahet mend për një kohë të gjatë si gruaja që mishëroi qetësinë dhe stabilitetin në një botë të trazuar me shumë sfida. U prefsh ne paqe", shkruan Alibeaj.