Ish-presidenti i Rusisë sulmon Perëndimin: Ata duan të na përçajnë

Ish-presidenti i Rusisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Vladimir Putinit, Dmitry Medvedev, akuzon SHBA-në dhe Perëndimin në përgjithësi se po përpiqen të shkaktojnë shpërbërjen e Rusisë.

Sipas tij, Perëndimi po bën një përpjekje për ta shtyrë Rusinë drejt kolapsit, gjë që ai tha se do të përbënte një "lojë shahu me vdekjen".

"Disa në Perëndim do të donin të përfitonin nga konflikti ushtarak në Ukrainë për ta shtyrë vendin tonë në një kthesë të re shpërbërjeje, për të bërë gjithçka për të paralizuar institucionet shtetërore të Rusisë dhe për të destabilizuar vendin, siç ndodhi në 1991."

Ai vazhdoi:"Këto përpjekje janë vërtet jashtëzakonisht të rrezikshme" sepse ato "injorojnë një aksiomë të thjeshtë: çmontimi i dhunshëm i një fuqie bërthamore është gjithmonë një lojë shahu me vdekjen".

Ai përfundon deklaratën e tij duke thënë se arsenalet bërthamore të Rusisë janë "garancia më e mirë për ruajtjen e Rusisë së Madhe".