Rakiq: QUINT kërkoi nga ne që ta pranojmë pavarësinë e Kosovës

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se ambasadorët e shteteve të QUINT-it, gjatë takimit të mbajtur më 15 gusht në Prishtinë, kanë kërkuar nga kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë që “të pranojnë realitetin, e ai realitet është se Kosova është e pavarur”.

Në shtetet e QUINT-it bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia e Franca, dhe që të gjitha e njohin pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008.

Në një deklaratë për mediat ai thekson se kanë rënë dakord që seanca të mos jetë e hapur për publikun, por për shkak të peshës dhe seriozitetit të mesazhit që kanë marrë, kanë përgjegjësi morale, njerëzore, politike dhe çdo tjetër për të shpjeguar dhe informuar popullin dhe publikun se çfarë u diskutua në atë takim.

 “Në takimin, që zgjati më shumë se dy orë, ku kryetarët e komunave i njoftuan ambasadorët për problemet që kanë në komuna… Në atë takim, mesazhi kryesor që dëgjuam nga ambasadorët ishin se shtetet e tyre e njohin pavarësinë e Kosovës. Ne gjithashtu dëgjuan se ata i mbështesin në mënyrë absolute vendimet e marra nga Prishtina. Veçanërisht ata nënvizuan se mbështesin vendimet e Prishtinës për targat dhe dokumentin për hyrje-dalje që do t’u lëshohet serbëve me të hyrë në Kosovë”- tha ai.

Ai po ashtu ka thënë se po diskutohet se atyre që jetojnë në Kosovë e Metohi do t'u lëshohet një dokument që do t'u lejojë të qëndrojnë në Kosovë e Metohi për 90 ditë.

"Fëmija im duhet të kalojë kufirin, dmth një kalim administrativ çdo 90 ditë. Tani duhet të pranojmë që jemi të huaj atje. Baballarët tanë, gjyshërit... disa prej nesh duan të bëhen të huaj, ose të na asimilojnë. Ose të na dëboni nga vatrat tona shekullore”- tha Rakiq.

Rakiq tha se ambasadorët e QUINT-it thanë se vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe janë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.

"Ne absolutisht nuk u pajtuam me ta”, theksoi Rakiq, raporton B92

Sipas deklaratës së tij presin që përmes dialogut në Bruksel, Vuçiç dhe ekipi i tij të gjejnë mënyrën për ta tejkaluar krizën.

“Na bën thirrje që ta pranojmë realitetin në terren dhe ai realitet është që Kosova është e pavarur. Asnjë serb, dhe ne ua thamë qartë dje, nuk e pranon atë pavarësi dhe nuk do ta pranojë kurrë. Ne po shikojmë Brukselin, presidentin tonë, Aleksandar Vuçiç dhe po shikojmë dialogun e Brukselit”, tha Rakiq.