BE paralajmëron Vuçiç dhe Kurtin: Kushdo që nis dhunë do të mbajë përgjegjësi

Kreu i zyrës së diplomacisë të unionit evropian ka qenë i ashpër me liderët e Serbisë dhe Kosovës të cilët nuk ngurrojnë të paralajmërojnë konflikt të armatosur lidhur me masën e reciprocitetit mes dy shteteve.

Joseph Borrell, përmes zëdhënësit të tij Peter Stano ua ka bërë të qartë liderëve në Prishtinë dhe Beograd se do të mbajnë përgjegjësi në rast përshkallëzimi.

Stano: Rritja e retorikës nxitëse kohëve të fundit nga ana e zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, në veçanti deklaratat rreth luftës dhe konfliktit në Ballkanin Perëndimor paraqesin shqetësim të madh. Politikanët e lartë nga të dyja palët do të mbajnë përgjegjësi për çfarëdo përshkallëzimi që mund të çojë në dhunë potenciale.Të dyja palët duhet menjëherë t'i japin fund armiqësive mes tyre dhe deklaratave nxitëse, si dhe të veprojnë me përgjegjësi.

Presidenti i Serbisë, Akeksandër Vuçiç tha se ka informacione për plane se në veri të Kosovës po përgatitet likuidimi i popullit serb që jeton në Kosovë.

Një ditë pas kësaj deklarate, kryeministri Kurti tha kur zyrtarët në Beograd, përfshirë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, flasin për dhunë dhe vrasje në Kosovë, ata flasin për veten, për imagjinatën e mendimet e tyre.

BE-ja thotë se të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve duhet të adresohen përmes dialogut.

Stano: BE-ja pret që dy liderët të diskutojnë këto tema sfiduese në takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, të ftuar nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell. Arritja e marrëveshjes gjithpërfshirëse kërkon një klimë e cila do t’i kontribuonte kthimit të besimit, pajtimit dhe raporteve të mira, “ku marrëveshjet e së kaluarës respektohen dhe implementohen në tërësi, dhe ku veprimet e deklaratat të cilat nuk janë në përputhje me interesat e përgjithshme dhe qëllimet strategjike të rajonit nuk kanë vend.

Më 17 gusht, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të mbajë takime të ndara në Bruksel me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç.

Një ditë pas, më 18 gusht do të zhvillohet takimi i dy liderëve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.