Lejimi i shamisë në shkollat e Kosovës, Kraki: Po kërkohet rifetarizimi i shoqërisë, Kurti e bën për vota

Kosova ka rikthyer edhe njëherë debatin për lejimin e shamisë në shkolla për vajzat 16-vjeç e sipër.

Nga Ministria e Arsimit në Kosovë nuk ka ende një qëndrim zyrtar por kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se qëndrimi i tij është i njëjtë si para shumë viteve, ku sipas tij nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve dhe se mosha 16-vjeçare është pragu.

Politologu, Nezir Kraki, thotë se është qartazi kundër kësaj nisme duke e konsideruar dhunim të hapur të të drejtave të fëmijëve.

Në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma ai thotë se synimi kryesor i iniciatorëve është rifetarizimi i shoqërisë kosovare, ndërsa politika e ka hall elektoral.

Kraki: Nuk jam kundër shamisë në shkolla por kundër shamisë në kokën e vajzave para se të shkojnë në shkollë. E konsideroj si dhunim për fëmijët. Në shtetet tona mosha e pjekurisë është 18 vjeç. Deri në atë moshë konsiderohen si të mitur dhe janë nën përkujdesjen totale të familjes. Unë jam kundër idesë që një vajzë 15-16 vjeçe të shkojë në shkollë e preformatuar me idenë se ajo tani e tutje duhet të punojë, të mendojë dhe të organizojë jetën e saj në tokë në mënyrë që të fitojë parajsën gradualisht. Vajza në këtë moshë në shkollë duhet të shkojë të mësojë fizikë, kimi, edukatë qytetare, histori, gjuhë shqipe dhe të mësojë për veten, të mësojë si me pas sukses në jetën e saj profesionale, si me u realizu personalisht dhe profesionalisht.

Është absurditet total, nuk mund të pranohet kjo si diçka e logjikshme, e pranueshme. Nuk ka gjasa. Ata që janë pas kësaj iniciative, hallin më të vogël e kanë lirinë e gruas, vajzës, e individit. Synimin kryesor e kanë rifetarizimin, që mos të them riislamizimin, e shoqërisë kosovare. Këto tendenca kanë gjetur hapësirë në Kosovën e pasluftës sepse në mungesë të shpresës dhe të ardhmes njerëzit shtrojnë pyetje drejt qiellit dhe presin përgjigje hyjnore. Ka marrë përmasa gati shqetësuese dhe shqetësimi bëhet më i madh kur këto rryma arrijnë ta lëkundin apo ta vënnë në dyshim kuadrin kushtetues legal të Kosovës, i cili është përcaktuar prej vitesh.

Shqiptarët janë përcaktuar para se të kishin shtet në Kosovë për drejtim europian të shoqërisë, emancipim të grave, liri dhe mbrojtje të fëmijëve. Nuk mundet Kosova si shoqëri moderne demokratike në Europë ta konsiderojë moshë madhore legale moshën që në islam lidhet me pubertetin e vajzave. Nuk mund të konsiderohet si normale identifikimi apo formatimi në bazë të gjinisë. Nëse marrim një djalë 16 vjeç dhe një vajzë 16 vjeçare, vajzës i është thënë se ti je femër dhe je objekt i rrezikuar. Thua se Kosova dhe shqiptaët janë në mesjetë.

Ai kritikon edhe qëndrimin e kryeministrit Kurti.

Kraki: Albin Kurti është gabim, ka qenë gabim atëherë kur e ka premtuar. Atëherë e ka përmendur për vota, tani e përmend për vota sepse Albin Kurti ka nevojë të votohet. Nëse Albin Kurti do të dalë nga kuadri i të gjithë vendeve normale në Europë dhe të ulë moshën madhore nga 18 në 16 duhet të ketë riorganizim total të shoqërisë. Shpartallohet gjithçka në jetën socio-politike.Kanë interes elektoralist.
Sipas politologut, Qeveria e Kosovës nuk mundet ta njollosë zyrtarisht, legalisht shkollën fillore dhe ta dhunojë me ligj të drejtën e personave nën 18-vjeç për të qenë fëmijë.

Kraki nënvizon se në qëndrimin e tij nuk ka asgjë anti-islam, anti-shami, anti-mbulesë.

Ai thekson se është anti-prindërve, anti-rrymave që fëmijën vajzë duan ta objektizojnë dhe ta paraqesin si dekor fetar në rrugë apo në shkollë, duke i thënë se e vetmja gjë për të cilën ka nevojë është rruga drejt parajsës, si ta fitojë biletën drejt parajsës.