Mbajtja e shamisë në shkollat në Kosovë, Albana Xharra: Është shkelje e të drejtave të fëmijëve
Mbajtja e shamisë në shkollat në Kosovë prej disa ditësh është kthyer në një çështje mjaft të diskutueshme, kjo për shkak të mbështetësve dhe atyre që e kundërshtojnë një gjë të tillë.
Në një intervitë për RTV Ora, gazetarja e njohur Arbana Xharra foli mbi rrezikun që ekziston në rast se një gjë e tillë lejohet pa vendosur një kufi moshor, një rrezik sipas saj që po shfrytëzohet nga ekstremistët islamikë që pas luftës së Kosovës.
Si e shihni vendimin e qeverisë së Kosovës për të lejuar mbajtjen e shamisë në shkolla?
Arbana Xharra: Kjo është një çështje e rikthyer tashmë. Në shumë intervista që kam bërë dhe të dhënat që kam mbledhur në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut e deri në Londër, për një numër jo të vogël të ekstremistëve, më kanë thënë se do të vijë dita ku ne do të vendosim ligjin e Shehriatit.
Rreziku është institucionalizimi i këtyre rrymave.
Pra po thoni që kjo është një axhendë e mirpërcaktuar dhe për këtë arsye vjen ky debat sot?
Arbana Xharra: Absolutisht. Nëse s'gaboj në 2010 ka qenë protesta më e madhe e organizuar në Kosovë për mbajtjen e shamisë.
Problemi është tek të gjithë ata që kundërshtojnë apo ata që e kërkojnë. Kjo pasi kur kryeminstri vendosi që pragu do të jetë 16 vjeç, ata e kundërshtojnë një gjë të tillë. Kërkojnë që vajza të vogla të shkojnë në shkollë me shamia.
Unë kam qenë kundër kësaj axhende pasi qysh me përfundimin e luftës në Kosovë, është shfrytëzuar nga këto axhenda.
Nuk them që të gjithë myslimanët janë ekstremistë, por shumica prej tyre shfrytëzohen nga këto grupe, që fatkeqësisht sot i kemi në institucione.
Pra duhet të jetë e përcaktuar se deri në çfarë moshe lejohet të shkohet me shami në shkollë?
Arbana Xharra: Lejohet mbi 18 vjeç, kërkesa është që të lejohet dhe në moshë më të vogël.
Para disa kohësh ka qenë një video në një fshat në Drenicë, ku vajzave të vogla 5-6 vjeçe u vendoset shamia, vendosen para kamerave dhe u kërkohet të thonë se kjo është mirë.
Kjo është imponim dhe shkelje e të drejtave të fëmijëve.
