Tensionet në veri/ Qeveria zotohet ta çojë deri në fund vendimin e 1 shtatorit, Kurti: S’ka hapa pas!

Albin Kurti është zotuar që të ndërmarrë një fushatë informimi për serbët që jetojnë në veri të Kosovës në mënyrë që të mos ndikohen nga dezinformimi serb lidhur me letërnjoftimet dhe targat ilegale. Vendimi i 1 shtatorit sipas kreut të qeverisë do të zbatohet deri në fund.

I vendosur që ta çojë zotimin e qeverisë së tij deri në fund, kryeministri Albin Kurti 8 ditë përpara takimit me Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se nga 1 shtatori do të zbatohet vendimi për targat dhe letërnjoftimet për qytetarët serbë.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Edhe pse tensionet mund të rikthehen në fund të muajit në veri të Kosovës, Albin Kurti ka vendosur që t’u flasë atyre drejtpërsëdrejti.

Në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, kreu i Vetëvendosjes nuk foli në serbisht për veriorët, por u shpjegoi atyre procedurat për marrjen e dokumenteve të identifikimit për të cilat tha se ato serbe nuk do të konfiskohen në kufi.

Kurti theksoi rrezikun që mund të vijë nga lajmet e rreme që vijnë nga Serbia, për të cilat u zotua për një fushatë informimi për qytetarët serbë në Kosovë duke u bërë thirrje të verifikojnë burimet e informacionit.

I pari i qeverisë shpjegoi edhe rëndësinë e konvertimit të targave ilegale në sistemin RKS i shërben ligjit dhe rendit publik.

Pajisja me këto targa sipas Kurtit, i liron serbët që jetojnë në veri nga rreth 5 000 euro taksa.