"Porti Turistik i Durrësit" Berisha thirrje investitorit El Alabbar të tërhiqet, projekti do anulohet me të ardhur PD në pushtet

Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaron se pas projektit të portit turistik të Durrësit fshihet afera më e madhe e korruptive dhe I bën thirrje investitorit  El Alabbar të mos përfshihet pasi projekti do të anulohet me të ardhur në qeveri PD-ja.

Edi Rama me kompaninë po përvetëson 1 mln metër katrorë tokë në qytetin e Durrësit. Po i bën një dëm të pallogaritshëm ekonomisë shqiptare. Para 6 muajsh janë blerë disa vinça nga më modernët në Europë që shumëzohen me zero, pasi I pangopuri Edi Rama ka gjetur një kompani sa për tu fshehur prapa saj për të larë lumenjtë e parave të drogës së klaneve të tij në Durrës. E garantoj që ai projekt nuk do të jetë. I them atij zotërisë Emar të mos implikohet në megaafera të tilla të tmerrshme korruptive si këto. Edi Rama nuk ka autoritet të plaçkisë në këtë mënyrë pronën publike.

Më 10 gusht 2022 në ambientet e kryeministrisë u firmos Memorandumi i Mirëkuptimit midis "Eagle Hills Real Estate Development" shpk dhe “Albanian Seaports Development Company” sh.a që i hap rrugë ligjit për fillimin e investimit të Portit Turistik të Durrësit.