Tentoi të arratisej për në Greqi, në pranga dhe dy persona që ndihmuan Keqin
Flodian Keqi, autori i dyshuar i vrasjes së Luan Fushit në Fushë Krujë u arrestua mbrëmjen e djeshme (11 korrik) në Konispol teksa po përpiqej të arratisej drejt Greqisë.
Bashkë me të policia arrestoi dhe dy persona të tjerë që po e ndihmonin Keqin të kalonte kufirin.
"Gjithashtu, shërbimet e policisë, së bashku me 40-vjeçarin, kapën dhe arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, edhe shtetasit: L. K., 25 vjeç dhe L. Gj., 30 vjeç, të cilët po shoqëronin dhe ndihmonin autorin e dyshuar për t’u larguar nëpërmjet kufirit të gjelbër për në shtetin grek," njofton policia.
Keqi akuzohet se mesditën e 10 korrik ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov fqinjin e tij, në një zonë pyjore pas një konflikti për motive të dobëta.
Fushi i mbetur fillimisht i plagosur, humbi jetën pak orë më vonë në spital.




