Plakja e popullsisë në vend me ritme të shpejta, bien ndjeshëm lindjet në tremujorin e dytë të 2022
Në Shqipëri është regjistruar numri më i ulët i lindjeve të paktën në një vit. Gjatë tre muajve kanë ardhur në jetë 5384 foshnje, duke pasqyruar edhe një herë krizën në vend sa i përket plakjes së popullsisë.
Tre mujori i dytë i këtij viti ka shënuar një rënie të fortë të lindjeve në vend.
Sipas INSTAT nga muaji prill deri në qershor janë regjistruar vetëm 5384 foshnje në të gjithë vendin, me 14 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, por thuajse me të njëjtën rënie edhe krahasuar me muajt janar, shkurt, mars të këtij viti.
Sa i përket qarqeve vetëm Dibra rezulton që të ketë më shumë fëmijë të ardhur në jetë me 12 foshnje më shumë krahasuar me muajt e parë të 2022, por gjithsesi më pak se viti i shkuar.
Tirana shënon numrin më të lartë të vogëlushëve edhe për shkak të dendësisë së lartë të popullsisë, por duke njohur sërish një rënie të ndjeshme.
Në kryeqytet kanë lindur 1940 foshnja në tre mujorin e dytë, teksa në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar janë regjistruar 2141 fëmijë.
Por duket se rënia e ndikimit të koronavirusit ka sjellë nga ana tjetër dhe më pak vdekje, ku 4.916 persona kanë ndërruar jetë në tre muaj duke shënuar një rënie prej 19,4 %.
Kjo është shifra më e ulët në të paktën një vit. Edhe pse sipas analizës së INSTAT shtesa natyrore për këtë periudhë është pozitive, me 468 lindje më shumë se vdekje, këtu nuk është llogaritur se sa persona janë larguar nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe të tjera.
Në muajin maj INSTAT deklaroi se mosha mesatare në Shqipëri shkoi në 38.2 vjeç duke treguar edhe një herë plakjen e shpejtë të popullsisë.
