Nën kontroll zjarri në Lamin e Madh, izolohet vatra e zjarrit që rrezikonte banesat
Vijon puna për shuarjen e vatrës së zjarrit, e shfaqur të hënën në vendin e quajtur mali i Toles, në fshatin Lam i Madh të Njësisë Administrative Derjan.
Në terren po veprojnë 13 forca të bashkisë Mat ku 8 jane të MZSh me një zjarfikëse, si dhe 33 forca të ushtrisë me dy zjarrfikëse.
Në këtë operacion marrin pjesë dhe forcat e komisariatit të policisë Mat me një grup pune prej pesë vetësh.
Puna po vazhdon me intensitet të lartë dhe ndërhyrja e tre mjeteve zjarrfikëse ka qenë shumë efikase, duke bërë të mundur izolimin dhe fikjen e plotë të vatrës kryesore të zjarrit, e cila rrezikonte seriozisht banesat e familjarëve, stallat e blegtorisë dhe bazën ushqimore të grumbulluar për dimër.
Forcat e tjera të ushtrisë, prej 21 efektivësh, po punojnë në terren për izolimin e plotë të zjarrit në malin e Toles në Lam të Madh.
Ky zjarr ka përshkuar rreth 15 hektarë, ku 8 prej tyre janë pyje dhe pjesa tjetër kullotë.
Ndërsa dhe ky operacion për fikjen e zjarrit në Lam të Madh po përmbyllet me sukses, një tjetër vatër zjarri njoftohet të jetë shfaqur në fshatin Bërshi të Bashkisë Klos.
