Droni pionier shpëton djalin 14 vjeç nga mbytja në një plazh spanjoll

Një shërbim pionier i shpëtimit me dron i shtrirë në dhjetëra plazhe spanjolle ka shpëtuar një djalë 14-vjeçar nga mbytja.

Ekipet e shpëtimtarëve në Port Sagunto, Valencia, dërguan dronin për të shpëtuar adoleshentin pasi ai u kap nga një valë e fuqishme afër plazhit në fillim të këtij muaji.

Pamjet tregojnë dronin duke fluturuar drejt djalit, i cili shihet duke u përplasur nga valët, si dhe shihet momenti teksa lëshojnë një jelek shpëtimi në ujë afër tij përmes një teli.

Djali arrin të rrëmbejë jelekun e shpëtimit dhe ta veshë, duke e ndihmuar atë të notojë mbi ujë derisa ekipet e shpëtimit të arritën tek ai.

Ai u shtrua në spital pasi gëlltiti sasi të mëdha uji.

Sagunto, në veri të Valencias, është plazhi i parë në botë që përdor drone të tillë, të drejtuar nga firma e teknologjisë me bazë në Valencia, General Drones, për të mbështetur rojet e shpëtimit.

Dronët mund të fluturojnë 50 km në orë, sipas një raporti të RTVE.

Ata janë në gjendje të marrin jelekë shpëtimi për viktimat në "kohë rekord" dhe t'i ndalojnë ato të mbyten në ato minutat e para thelbësore të shpëtimit.

Piloti i dronëve për General Drones, Miguel Angel Pedrero, i tha Reuters: "Kur mbërritëm, ajo që pamë ishte një fëmijë që ishte tashmë në një gjendje mjaft të keqe pa pothuajse asnjë energji, kështu që dërgova jelekun e shpëtimit.

"Për shkak të dallgëve të rënda ishte një manovër e komplikuar, por më në fund arritëm t'i jepnim jelekun dhe ai mundi të notonte derisa shpëtimtarët arritën tek ai me jet ski."