"Dimri i fundit me gaz rus" Rusia ndërpreu furnizimin, Zelenski: Terror mbi qytetarët evropianë për stinën e ftohtë
Rusia ka ndërprerë sërish furnizimin e vendeve të Bashkimit Evropian duke rritur frikën e përballimit të dimrit të ardhshëm. Zelenski pretendon se Moska këtë e bën qëllimisht për të terrorizuar qytetarët për të detyruar BE-në për të ulur sanksionet anti-ruse.
Ukraina e ka quajtur të qëllimshëm reduktimin e gazit rus drejt vendeve të Bashkimit Evropian si një formë shantazhi për të shkaktuar terror mbi qytetarët e unionit.
Në adresimin e tij të mbrëmjes lideri ukrainas Volodimir Zelenski ka akuzuar Kremlinin se po bën luftë me gazin.
"Shantazhi i Evropës me gaz, i cili vetëm bëhet edhe më keq çdo muaj, është i nevojshëm nga një shtet terrorist për ta bërë jetën e çdo evropiani më të keqe," tha ai.
Kompania ruse e energjisë Gazprom njoftoi se do të reduktonte edhe njëherë fluksin e gazit për në Gjermani për të lejuar punën në një turbinë të gazsjellësit Nord Stream 1.
Tubacioni Nord Stream 1, i cili pompon gaz nga Rusia drejt Gjermanisë, ka punuar nën kapacitetin e tij për javë të tëra.
Më herët gjatë këtij muaji, gazsjellësi më i madh evropian i Rusisë u mbyll plotësisht për 10 ditë për shkak të një mirëmbajtjes, duke shtuar frikën në Evropë se dërgesat nuk do të rinisnin më.
Dërgesat u rifilluan 5 ditë më përpara, megjithëse ende me kapacitete të reduktuara. Por të hënën, Gazprom njoftoi se do të ndërpriste furnizimin me gaz edhe njëherë.
Këtë herë, ata thanë se duhet të ndërpritet furnizimi në rreth gjysmën e nivelit aktual në mënyrë që të kryhet puna e mirëmbajtjes. Qeveria gjermane, megjithatë, tha se nuk kishte arsye teknike për të limituar furnizimet.
BE, e cila mori 40% të gazit nga Rusia vitin e kaluar, gjithashtu ka akuzuar Rusinë për përdorimin e energjisë si një armë.
Reduktimi i fundit i vendos shtetet e BE-së në presion për të reduktuar varësinë e tyre nga gazi rus edhe më shumë dhe me gjasë do ta bëjë më të vështirë rimbushjen e furnizimeve me gaz përpara dimrit.
