Nis debati për kryeministrin britanik, dy kandidatët konservatorë përplasen për taksat në raundin e parë
Gropa që hapi Boris Johnson në Britaninë e Madhe është reflektuar edhe te përplasjet brenda partisë. Dy kandidatët për kryeministër janë përplasur në debatin e parë televiziv duke kontestuar njëri-tjetrin lidhur me uljen e taksave.
Dy pretendentët për të udhëhequr Partinë Konservatore dhe rrjedhimisht qeverinë britanike janë përplasur në debatin e parë televiziv të tyre lidhur me çështjen e uljes së taksave.
Rishi Sunak dhe Liz Truss akuzuan njëri-tjetrin se kishin gjetur metoda të dobëta për uljen e taksave që do ta fusnin vendin në krizë.
Ish-sekretari i Thesarit dhe ish-ministri i Financave i tha zonjës Truss se plani i saj do të ishte katastrofik për vendin dhe konservatorët.
"Plani juaj për uljen e taksave do të fuste miliona njerëz në mjerim dhe do t’u kushtonte konservatorëve zgjedhjet e ardhshme," tha Sunak.
Sekretarja e Jashtme në detyrë, Liz Truss iu kundërpërgjigj se platforma e Sunak për uljen e taksave do të çonte në recension.
Të dy kampet e dy kandidatëve pretenduan se ata ishin fituesit e debatit të parë televiziv.
Dy kandidatët për kryeministër dikur pjesëtarë të të njëjtit kabinet edhe pse brenda një partie kanë pasur mospëlqim ndaj njëri-tjetrit edhe më herët.
Megjithatë ata të dy ranë dakord në pikën kur u bë fjalë për kryeministrin Johnson.
Të dy pretendentët për t’ia zënë vendin 57-vjeçarit thanë se nuk do ta pranonin ta merrnin konservatorin në kabinetin e tyre qeverisës.
Zgjedhjet brenda kampit të konservatorëve kanë nisur që prej 12 korrikut dhe rezultatet pritet të dalin në 5 shtator.