Kremlini njofton përgjysmim të gazit për Evropën, BE në alarm, kërkon furnizime alternative

Rusët janë duke luajtur letrat e tyre më të forta për t’i bërë presion perëndimit për sanksionet e luftës. Ulja e furnizmit me gaz është një nga politikat që po ndjekin rusët. Varësia energjitike evropiane nga Rusia është e madhe, ndërsa kjo manovër ruse i ka vënë përpara urgjencës për të gjetur zgjidhje për dimrin që troket në pak muaj.

Politikat energjitike të Kremlinit e kanë vendosur me shpatulla pas murit Bashkimin Evropian.

Varësia e krijuar ndër vite prej gazit dhe naftës ruse ngjan se është kthyer në një armë që po përdoret me sukses nga regjimi i Putinit për të frikësuar të ardhmen energjitike të Evropës.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Së fundmi, gjiganti energjitik rus Gazprom njoftoi se do të shkurtojë prurjet e gazit në Gjermani përmes tubacionit Nord Stream 1. Nga 160 milion metër kub në ditë, sasia do të bjerë në 33 milion metra kub.

Zyrtarët e lartë të BE-së kanë nisur takimet e tyre për të diskutuar mbi këtë situatë dhe dimrin që i pret përpara. Reduktimi i përdorimit të gazit dhe ruajtja e dispozitave, sipas ekspertëve, është një pikë thelbësore për të përballuar këtë krizë.

Gjermanët ishin së fundmi në Katar për të nëgociuar marrëveshje energjitike me vendin e pasur të Gjirit. Pavarësimi energjitik nga Rusia ngjan se po bëhet më i ngutshëm se kurrë për BE-në. Përpara pushtimit në Ukrainë, BE-ja mbështetej tek Rusia për 40% të importeve të saj të gazit. Sot ata kërkojnë që ta diversifikojnë furnizimin sa më shumë që të jetë e mundur.

Politikanët në Evropë kanë thënë vazhdimisht se Rusia mund të ndërpresë gazin këtë dimër, një hap që do ta çonte Gjermaninë në recesion dhe do të dëmtonte konsumatorët tashmë të goditur nga rritja e inflacionit.