Mbi 1000 kryetarë bashkie firmosin apelin: Mario Draghi të qëndrojë në krye të qeverisë!
Ndërsa kryeministri italian, Mario Draghi, qëndron në heshtje e përgatit fjalimin që do të mbajë në dy dhomat e Parlamentit italian, ku do të motivojë gjerësisht vendimin drastik të tij për t'u dorëhequr nga drejtimi i qeverisë teknike, klasat politike e sociale italiane apelojnë për qëndrimin e tij.
Mbi 1000 kryetarë bashkie nga qytetet më të mëdha italiane si Milano, Roma, Torino, Venezia e deri tek komunat më të vogla nga veriu në jug të vendit e pavarësisht krahut politik që i përkasin, kanë firmosur apelin ku kërkojnë që Mario Draghi të qëndrojë në drejtimin e qeverisë.
"Jemi në kontakt me realitetin, me qytetarët, me hallet e preokupimet e tyre, me sipërmarrësit, prodhuesit e nuk mund të lejojmë që Draghi të largohet", shprehin në letër apelin e tyre, të cilit i shtojnë dhe shqetësimin e panoramës gjeopolitike ndërkombëtare e problemet social-ekonomike që ka vendi.
Mes firmëtarëve nuk mungojnë dhe kryebashkiakët e qëndrës së djathtë italiane si kryetari i bashkisë së Venezias, Genovas, Arezzos e që ka shkaktuar reagimin e lideres së Partisë Fratelli d'Italia, Giorgia Meloni, e cila e gjen jo korrekte që këta kryetarë bashkie që përfaqësojnë qytetarët dhe ata që nuk i kanë votuar, të përdorin institucionet sikur të jenë seksione partie.
"Është një mungesë rregullash dhe nuk bën sens nga ana e klasës drejtuese të vendit", shprehet ajo.
Ndërsa Matteo Ricci, kryetar i bashkisë së Pesaros, kujton se Mario Draghi është personi garant i fondeve të BE për planin e rimëkëmbjes e rilancimit ekonomik të vendit.
"Nëse nuk do jetë më Draghi, Europa mund të bllokojë derdhjen e tyre", thotë ai.
Njëkohësisht me këtë apel, një tjetër iniciativë e ngjashme sa dhe e pazakontë ka nisur nga lideri i Partisë Itali Viva, Matteo Renzi, i cili përmes një peticioni online fton qytetarët italainë të firmosin pro qëndrimit të Mario Draghit në Palazzo Chigi (Pallati i selisë së qeverisë italiane).
Deri më sot mbi 80 mijë qytetarë kanë firmosur këtë peticion, me objektiv që të arrijnë në 100 mijë firma.
Thirrje për qëndrimin e Mario Draghit në drejtimin e qeverisë italiane vijnë dhe nga kategori profesionistësh, si mjekë e infermierë, të cilët në apelin e tyre tërheqin vëmendjen se "një vjeshtë e vështirë e pret sistemin shëndetësor italian e vendi, thonë ata, ka nevojë për stabilitet".
Të shqetësuar nga situata e krizës qeveritare e me pikëpyetjet për të ardhmen, shfaqen dhe përfaqësuesit e Konfidustrisë italiane.
Enrico Carrara, kreu i Konfindustrisë së Venetos që drejton një kompani me 3500 punonjës e që faturon mbi 600 milionë euro në vit, shprehet se "vendimi i Draghit qe një vetëtimë në qiell të pastër.
Ka ende mjaft reforma për të kryer, thotë ai, e Draghi duhet të qëndroj pasi me punën e eksperiencën e tij ka ndihmuar vendin.
Apeli i tij shkon për të gjitha forcat politike që të gjejnë kushtet e një bashkëpunimi që kjo qeveri të mbyll legjislaturën e saj.
