Video & Foto/ Eleminim dramatik nga Europa. Partizani ia “fal” kualifikimin Saburtalos
Dramë në “Air Albania Stadium”. E kishte Rrapaj në këmbët e tij penalltinë e suksesit të mundshëm të Partizanit por pasi e gaboi, të kuqtë u eleminuan me rezultatin 5-4 nga lotaria pas 120 minutave lojë.
Saburtalo fiton kohën e rregullt 1-0 dhe penalltitë ku Atanasoski, Rrapaj dhe Maget gabuan dhe i dhuruan skuadrës gjeorgjiane kualifikimin. Foto: LSA


Ndeshja u mbyll me skena të shëmtuara në stadiumin kryeqytetas ku tifozët e kuq sulmuan me sende të forta lojtarët e skuadrës mike ndërsa përleshje u regjistruan edhe mes dy tifozerive.



Formacioni fitues nuk ndryshon dhe trajneri Dritan Mehmeti propozoi në fushën e lojës emrat identikë të sfidës së parë në Gori.

Ndeshje e vakët në minutat e para, e kontrolluar nga të kuqtë me shkëndija të pakta nga skuadra gejorgjiane.
Skuka dhe Cara në sulm nuk arritën të dhuronin emocione në 45 minutat e para ndërsa në krahun tjetër, miqtë të vendosur mirë në fushë dhe me ritmin e plotë në këmbë pasi vijnë nga një sezon i gjatë në kampionatin ende në zhvillim, e vendosën disa herë në vështirësi Partizanin duke dominuar në mesfushë.

Tabatadze ishte pika e referimit në sulmin e miqve por të kuqtë tentuan edhe me mesfushorët Murataj e Rrapaj që gjithsesi nuk arritën të jepnin një sinjal të vërtetë përveçse në minutën e 50 kur Megrelishvili u vendos në provë serioze nga Rrapaj.


Pak minuta më vonë, Saburtalo kaloi në avantazh pas një topi që kaloi gjithë pasqyrën e portës së Teqjes dhe u ndal në rrjetë nga Guliashvili.

Minuta të vështira për të kuqtë që me kalimin e kohës treguan limitet fizike ndërsa kundërshtarët në disa raste flagrante me Gocholesvilin mund të kishin shtangur skuadrën e Mehmetit që humbi shkëlqimin.

15 minutat e para të shtesës, Skuka gaboi një gol pothuajse të sigurt ndërsa Teqja bëri heroin me një pritje vendimtare.

Në fraksionin e dytë të shtesës Partizani fitoi terren ndaj Saburtalos së sfilitur por as Skuka dhe as Telushi nuk arritën të shënonin golin e fitores dhe ndeshja shkoi në lotarinë e 11-metërshave ku dy pritjet e Teqjes nuk i shërbyen skuadrës së kuqe që e mbyll këtu rrugëtimin europian.
