Skandali në Gjermani/ "Drogë përdhunimi" në festën verore të SPD, denoncojnë 8 gra, ishte dhe kancelari Scholz

Në festën verore të grupit parlamentar të socialdemokratëve gjermanë në Berlin disa gra u goditën nga një sulm me të ashtuquajturat "Gocce KO", një drogë e lëngshme pa shije që përzihet lehtësisht me pije dhe që jep një sërë efektesh të padëshirueshme, nga humbja e kujtesës afatshkurtër deri në të fikët.

Tagesspiegel ishte i pari që shkroi për të. Aktiviteti u mbajt të mërkurën në kancelari dhe përveç deputetëve mori pjesë edhe kancelari Olaf Scholz.

Hetimi ka nisur pas denoncimit të 8 grave.

"Disa gra të droguara me të ashtuquajturat “knockout drops”, term që në zhargonin gjerman tregon lloje të ndryshme të “drogës së përdhunimit”, gjatë festës verore të grupit parlamentar të SPD që u zhvillua të mërkurën në Tiergarten në Berlin" raportoi fillimisht Tagesspiegel, duke cituar një bisedë të brendshme në SPD-së ku thuhej se "8 persona janë prekur, një rast i konfirmuar nga një test", dhe lajmi u mor më pas edhe nga gazetat e tjera.

Të paktën pesë raste të konfirmuara nga policia - Policia e Berlinit po heton.

Një zëdhënës i policisë i tha transmetuesit Rbb se "disa gra janë ankuar për të përziera dhe marramendje" dhe e njëjta gazetë raporton se aktualisht janë pesë raste të konfirmuara nga policia.

Rbb shpjegon se të ashtuquajturat "knockout drops" janë droga që i bëjnë viktimat të pafuqishme dhe shkaktojnë humbje të kujtesës.

Policia shpesh paralajmëron për rastet e kriminelëve që përziejnë substanca të tilla me pijet në ahengje apo klube për të vjedhur apo abuzuar seksualisht viktimat.Dhe hetimet konsiderohen të vështira sepse viktimat shpesh nuk mund të kujtojnë se çfarë ka ndodhur.

“Kjo është një ngjarje skandaloze, të cilën e denoncuam menjëherë në policinë e Bundestagut”, tha kreu i grupit parlamentar të SPD-së, Mathias Martin në një mesazh drejtuar anëtarëve të Bundestagut të cituar nga Tagesspiegel.

 “Ne rekomandojmë që çdo person tjetër i prekur ta raportojë këtë menjëherë në polici”, shtoi ai. Një zëdhënës i socialdemokratëve siguroi se po bëhet gjithçka që është e mundur për të sqaruar atë që ka ndodhur.

Hetimi nisi pas ankesës së një 21-vjeçareje, e cila tha se kishte qenë në festën ku morën pjesë rreth një mijë persona dhe kishte marrë pije joalkoolike dhe ushqime, por në mbrëmje ajo u ndje e sëmurë, me marramendje. Ajo shtoi se të nesërmen nuk i kujtohej më se çfarë kishte ndodhur një natë më parë dhe ishte ekzaminuar në spital. Prej aty kishte lajmëruar policinë dhe bërë kallëzim.

I pranishëm në festë të mërkurën ishte edhe kancelari gjerman Olaf Scholz, ku kishte edhe deputetë të SPD-së. Para pandemisë, shumë të ftuar të jashtëm merrnin gjithmonë pjesë në festën e verës.

Megjithatë, këtë vit, përveç stafit organizator të festës, ishin të pranishëm vetëm anëtarë të partisë, deputetë dhe punonjës të Bundestagut dhe të zonave zgjedhore.