Zelenski thirrje G7: Mbijetojmë deri në nëntor. Bëni çmos që lufta të mbyllet përpara dimrit
Presidenti Zelenski u ka bërë thirrje liderëve të G7-s që të bëjnë çmos që lufta në Ukrainë të mbyllet përpara stinës së dimrit. Temperaturat e ulëta thotë kreu i shtetit, do e bëjnë rezistencën ukrainase më të pamundur.
Lufta duhet të përfundojë përpara fundit të vitit, kështu mësohet të ketë thënë presidenti ukrainas Zelenski gjatë adresimit të tij përmes video lidhjes me 7 liderët e vendeve më të industrializuara të botës, të cilët gjenden në Gjermani.
Siç bëjnë me dije burime për agjencinë e lajmeve franceze AFP, lideri ukrainas u ka thënë liderëve të G7-s se ai dëshiron që lufta Ukrainë-Rusi të përfundojë përpara se të nisë stina e dimrit, pasi sipas tij, beteja në front do të bëhet më e vështirë me ardhjen e temperaturave të ulëta.
Kreu i shtetit ukrainas ka kërkuar ndihmë për rindërtimin e shtetit, sisteme mbrojtëse, ndihmë për të nxjerrë grurin jashtë vendit dhe garanci për sigurinë e vendit.
Po ashtu 44-vjeçari ka kërkuar nga perëndimi që të vijojnë presionin ndaj Moskës përmes sanksioneve të mëtejshme.
Kancelari gjerman, i cili udhëheq takimin e G7-s është zotuar që 7 shtetet më të industrializuara të globit të rrisin presionin ndaj presidentit Putin.
Lufta në Ukrainë është në krye të agjendës së G7-ës dhe vendet pjesëmarrëse pritet të zotohen për më shumë mbështetje ushtarake për Kievin, si dhe më shumë sanksione për Moskën.

