Finlanda dhe Suedia do të diskutojnë me Erdoganin për anëtarësimin e tyre në NATO

Presidenti finlandez Sauli Niinisto dhe kryeministrja suedeze Magdalena Andersson, do të takohen më 28 qershor me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan për të diskutuar synimet e tyre për anëtarësim në NATO, të bllokuara nga Turqia.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Palët do të zhvillojnë bisedimet në kuadër të samitit të NATO-s që mbahet këtë vit në Madrid nga 28 deri më 30 qershor.

“Presidenti Niinisto do të takohet nesër në Madrid me presidentin turk Erdogan dhe kryeministren suedeze Andersson, si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg”, ka thënë presidenca finlandeze.

Ai ka thënë se takimit do t’i paraprijë një raund bisedimesh mes zyrtarëve finlandezë, suedezë dhe turq, të ftuar nga NATO-ja në Bruksel”.

Pushtimi rus në Ukrainë ka shtyrë Finlandën dhe Suedinë që të aplikojnë për anëtarësim në aleancën veri-atlantike.

Mirëpo presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se është kundër pranimit të këtyre dy shteteve në NATO, duke përmendur atë që e konsideron mbështetje nga ana e tyre për “organizata terroriste”.

Lideri turk u ka bërë thirrje Suedisë dhe Finlandës që të heqin embargo për armët, të vendosura kundër Turqisë më 2019, për shkak të ofensivës ushtarake të Ankarasë në Siri.