“Rruga e mëndafshit” e Kinës. G7, 600 mld $ plan infrastrukturor për "t'ja kaluar"
Kina është konkurenti i fortë strategjik në afatgjatë, tha përpara pak javësh shefi i diplomacisë amerikane Anthony Blinken. Vendet e G7-ës janë angazhuar bashkërisht që të kundërpeshojnë projektin gjigant të Kinës për “Rrugën e Mëndafshit”, duke alokuar 600 miliard dollarë për infrastrukturën.
Konkurenca me gjigantin aziatik, Kinën, është një prioritet afatgjatë për amerikanët dhe aleatët e tyre Perëndimorë.
Projekti gjigant kinez i “Rrugës së Mëndafshit” ka vënë në levizje perëndimorët për ta kundërshtuar atë.
Presidenti amerikan Biden njoftoi nga Gjermania se udhëheqësit e vendeve të G7-ës do të mbledhin 600 miliardë dollarë fonde private dhe publike gjatë pesë viteve të ardhshme për të financuar infrastrukturën në vendet në zhvillim.
Kina, superfuqia aziatike, ka investuar miliarda dollarë në vende të ndryshme të botës për këtë projekt gjigant. Hekurudha, tunele, autostrada, porte, janë ndërtuar me fonde kineze në vende të ndryshme të botës për të lehtësuar lëvizjen e mallrave të Kinës në vende të ndryshme të globit.
Shtetet e Bashkuara, tha Biden, do të japin 200 miliardë dollarë grante, fonde federale dhe investime private gjatë pesë vjetëve për të mbështetur projekte në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Këto fonde do të ndihmojnë në trajtimin e ndryshimeve klimatike, përmirësimin e shëndetit global, barazisë gjinore dhe infrastrukturës digjitale.
“Dua të jem i qartë. Kjo nuk është ndihmë apo bamirësi. Është një investim që do të sjellë përfitime për të gjithë,” tha Biden.