Përdorimi i urisë si armë lufte, BE: Rusia po bllokon eksportin e grurit, ky është krim lufte

Rusët kanë nën kontroll shumicën e pjesës Lindore të Ukrainës, ku ndodhen edhe portet. Ukrainasit kërkojnë që të eksportojnë miliona ton grurë që kanë nëpër magazina, por rusët e kanë kthyer këtë çështje në debat ndërkombëtar. Evropianët kanë reaguar duke thënë se rusët duan ta përdorin grurin si armë lufte dhe bllokimi i eksportit është krim lufte.

Me miliona ton grurë ukrainas që pritet të shkojë drejt vendeve të Afrikës kryesisht, ka mbetur i bllokuar në portet e Ukrainës.

Rusët dhe ukrainasit, palët ndërluftuese, akuzojnë njëra – tjetrën për këtë bllokim të grurit. Të dyja vendet janë ndër eksportuesit më të mëdhenj në botë, teksa Afrika është ndër blerësit më të mëdhenj.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së ka reaguar për rastin duke çuar gishtin drejt Rusisë.

"Është e paimagjinueshme që miliona tonë grurë të mbeten të bllokuara në Ukrainë, ndërsa në pjesën tjetër të botës njerëzit vuajnë nga uria," tha Borrell.

“I bëjmë thirrje Rusisë që të zhbllokojë portet ukrainas”, tha kryediplomati evropian.

Ndërkohë, ministrat e jashtëm të BE-së janë takuar në Luksemburg për të diskutuar mbi krizën ushqimore si pasojë e luftës. Vendet perëndimore i kanë kërkuar Rusisë të ndalojë bllokimin e porteve të Ukrainës në Detin e Zi dhe të lejojë që sasitë e mëdha të drithit në depot gjigante të Ukrainës të

Rusia ka pushtuar pjesën lindore të Ukrainës, që është edhe pjesa ku Ukraina ka dalje në det. Si pasojë, portet ukrainase tashmë janën nën kontrollin rus në shumicën e tyre. Për ekspertët e gjeopolitikës, ky ka qenë një synim i kahershëm i rusëve, që të bllokojnë daljen në det të Ukrainës.

Kjo bllokadë për të nxjerrë në tregjet ndërkombëtare miliona ton drithëra ka sjellë paralajmërimet e organizatave ndërkombëtare se dhjetëra miliona njerëz janë në rrezik urie dhe ka bërë që çmimet e ushqimeve të rriten.

Rusët fajësojnë vendet perëndimore dhe sanksionet e tyre për çmimet e larta të drithërave. Ndërkohë, sipas BE-së, janë rusët ata që nuk lejojnë që të tregtohet gruri dhe drithërat ukrainas, ku janë bllokuar me miliona tonë, që sjell edhe krizë urie në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Vetë presidenti ukrainas ka kërkuar që të eksportohen drithërat, ndërsa amerikanët dhe evropianët kanë qenë në një zë kur thanë se nuk ka asnjë sanksion perëndimor për ushqimet, por është Rusia që po e instrumentalizon situatën.