Turi aziatik i Bidenit, forcimi i aleancave amerikane përball rritjes kineze në rajon

Presidenti amerikan Joe Biden ndodhet në Azi për të zhvilluar edhe më tej aleancat me fuqitë aziatike si kundërpërgjigje ndaj influencës kineze në rajon. Të hënën, liderët e katër vendeve, Amerikë, Indi, Japoni dhe Australi pritet të firmosin një marrëveshje tregtie mes tyre.

Përkundrejt luftës në Ukrainë, ku amerikanët janë angazhuar totalisht në mbrojtje të sovranitetit të saj, amerikanët janë duke sendërtuar aleancat e tyre përball rritjes kineze në Azi.

Presidenti amerikan Joe Biden ka nisur një tur në vendet aziatike për të shtuar edhe më shumë ndërveprimin me fuqitë aziatike.

Të hënën presidenti amerikan Biden do të takohet në Tokio me kryeministrin indian Narendra Modi, homologun japonez dhe atë australian.

Palët pritet të dakordësojnë një kornizë ekonomike për rajonin e Indo-Paqësorit. Kjo nismë synon bashkëpunimin më të thellë midis vendeve në fusha të tilla si energjia e pastër, import-eksport dhe tregtia digjitale.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan tha këtë të dielë se marrëveshja e së hënës nuk është për çështje sigurie.

“Është një marrëveshje ekonomike e përqendruar në integrimin e mëtejshëm të ekonomive Indo-Paqësorit, vendosjen e standardeve dhe rregullave, veçanërisht në fusha të reja si ekonomia digjitale, dhe duke u përpjekur për të siguruar zinxhirë furnizimi të sigurt dhe elastik, "tha Sullivan.

Kjo marrëveshje e re synon të krijojë një strategji të re ekonomike të administratës Bidenit për rajonin. Ajo vjen ndërsa SHBA-të kërkon të forcojë aleancat në Paqësor për të kundërshtuar rritjen e ndikimin të Kinës në rajon.

Pekini ka reaguar për rastin teksa ka kritikuar përpjekjet e amerikanve.

“Ne shpresojmë se ata do të ndërtojnë një rreth të hapur dhe gjithëpërfshirës miqsh në Azi-Paqësor, në vend të një klike ekskluzive, dhe të bëjnë më shumë për paqen dhe zhvillimin e rajonit, në vend se të krijojnë trazira dhe kaos” tha Pekini zyrtar.