Synimi i kryeministrit të ri australian, Albanese: Do të bëhemi superfuqi e energjisë së rinovueshme

Kryeministri i ri shqiptar në Australi, siç preferon ta quajnë në rrjetet sociale shqiptarët Anthony Albanesen, ka shprehur qasjen e tij për qeverisjen e vendit.

Ai tha se do të fokusohet te politikat klimatike, që Australia të kthehet në një superfuqi e energjisë së rinovueshme.

Ka ngjallur interes te shqiptarët kryeministri i ri australian me mbiemerin Albanese. Për shumë, mund të jetë me prejardhje arbëreshe.

Kryeministri i ardhshëm i Australisë, Anthony Albanese, ka thënë se dëshiron të përmirësojë imazhin e Australisë jashtë vendit, pas fitores ndaj konservatorit Scott Morrison.

Sipas ekspertëve, një nga temat më të rëndësishme në këto zgjedhje ishin ndryshimet klimatike.  Qytetarët ishin të pakënaqur me përgjigjen e Morrisonit ndaj zjarreve dhe përmbytjeve vdekjeprurëse që goditën Australinë vitet e fundit.

Laburistët e Albaneses e përdorën këtë kartë në  fushatë, teksa vetë kryeministri i ri ka njoftuar se do të ndërtojë politika që Australia të kthehet një superfuqi e energjisë së rinovueshme.

Kryeministri i ardhshëm tha se do të ketë një kurs të ri veçanërisht në lidhje me ndryshimet klimatike

Albanese dhe qeveria e tij do të betohen të hënën, teksa politikani pritet të marrë pjesë në samitin e rëndësishëm Quad, në Tokio , ku do të takohet me presidentin amerikan Joe Biden, kryeministrin japonez Fumio Kishida dhe Narendra Modin e Indisë.