Beqa: Serbia po armatoset kundër NATO-s, e orientuar më shumë drejt Moskës sesa Brukselit

I ftuar në RTV Ora, lektori Mentor Beqa u shpreh se Serbia nuk e qartëson orientimin e saj politik dhe e opinioni publik është i orientuar më shumë drejt Moskës sesa drejt Brukselit.

Beqa tha se armatimi beftë të Serbisë është një qasje e këtij vendi që do të ruajë epërsinë ushtarake në rajonin e Ballkanit.

Ai shtoi se duket se Serbia do të ravijëzojë një status neutral në Ballkan dhe nuk do të armatoset kundër vendeve të Ballkanit, por po armatoset kundër aleancës së NATO-s.

Beqa: Serbia nuk e qartëson orientimin e saj politik. Opinioni publik është i orientuar më shumë drejt Moskës sesa drejt Brukselit. Ajo që ne shohim me armatimin e beftë të Serbisë është një qasje që do të ruajë epërsinë ushtarake në rajon. Kjo epërsi është e qartë sepse ka një buxhet mbrojtjeje që është dy herë më shumë sesa të gjithë vendet e rajonin. Nëse kjo armatosje do të ndodhte në një rajon tjetër do të kishte shqetësim dhe do të krijonte një garë armatimesh.

Duket se Serbia do të ravijëzojë një status neutral në Ballkan dhe nuk do të armatoset kundër vendeve të Ballkanit, por po armatoset kundër aleancës së NATO-s. Në këtë rast nuk kemi një rast që u kundërvihet vendeve të Ballkanit, por po përgatitet kundër epërsisë dhe hegjemonisë ushtarake të NATO-s. Ndërkohë Bosnja dhe Kosova janë jashtë NATO-s dhe në këtë pikëpamje nuk përfitojnë nga neni i famshmi i Aleancës që detyron vendet anëtare që të mbrojnë një vend anëtarë. Prandaj anëtarësimi i tyre i përshpejtuar do të ishte një formë për të garantuar një siguri më të madhe në rajon dhe ndaj rrezikut të ndonjë aventure të Serbisë.