Vuçiç: Sanksionet ndaj Rusisë janë imorale

Presidenti Vuçiç ka justifikuar edhe njëherë Serbinë për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat i quan imorale. Ai akuzoi Kievin dhe një tjetër vend të BE-së për alarme të rreme për bomba kundër avionëve serbë të pasagjerëve.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka shpjeguar edhe njëherë përse nuk i është bashkuar sanksioneve të perëndimit kundër Rusisë.

Ndërsa i quan sanksionet imorale dhe joefikase, lideri serb pretendon se nëse ai do të kishte vendosur sanksione ndaj Moskës, do të përshëndetej si një hero nga perëndimi.

Vuçiç: Na kushton shumë që nuk kemi vendosur sanksione ndaj Rusisë, por nëse do ta bënim do të na kushtonte parimet tona për të mos mbështetur sanksionet kundër askujt, sepse ne e dimë nga eksperienca jonë që ato janë imorale dhe joefikase. Nëse do vendosja sanksione do të bëhesha heroi numër një në botë, do të mjaftonte të thosha vetëm diçka kundër Putinit dhe çdokush do më jepte çmime duke më quajtur demokratin më të madh në botë.

Vuçiç u ndal edhe te gazi e nafta ruse, për të cilët thotë se nëse do e kishte ndaluar importin nga Moska do të dëmtonte ekonominë serbe.

Ai akuzoi Ukrainën dhe një vend të Bashkimit Evropian për seri kërcënimesh të rreme me bomba ndaj avionëve të pasagjerëve të Air Serbia.

Vuçiç: Dhjetëra avionë u detyruan të riktheheshin në Beograd dhe Moskë, ndërsa fluturimet e tjera ishin pezulluar dhe aeroporti i Beogradit u evakuua të paktën tre herë në javët e shkuara. Shërbimet e huaja të inteligjencës të dy vendeve e bënë këtë. Një është shtet i Bashkimit Evropian dhe tjetri është Ukraina. Kërcënimet me bomba erdhën pasi Serbia refuzoi të ndalonte fluturimet me Rusinë.

Sipas tij 30 shtete anëtare të NATO-s janë duke ndihmuar një shtet, ndërsa Serbinë nuk e ndihmoi askush kur u bombardua nga NATO, duke iu referuar bombardimit të Jugosllavisë nga forcat e NATO-s pas gjenocidit të forcave serbe në Bosnje e Kosovë.