Fani e lëshoi për Pashkë, gjendet pas 12 ditëve kërkime trupi i 10-vjeçarit të mbytur

U gjet në ditën e Pashkës, trupi i pajetë i 10-vjeçarit që u mbyt 12 ditë më parë në ujërat e lumit Fan në Mirditë.

Për 12 ditë e qanë dhe e kërkuan përgjatë lumit Fan.

Trupi i 10-vjeçarit të mbytur në fshatin Shtrungaj të Mirditës u gjet ditën e Pashkës.

Kishte mbetur i bllokuar në 7 metra thellësi pranë digës së Hidrocentralit në Reps, aty ku kërkimet ishin përqëndruar prej 3 ditësh.

Fillimisht u dërgua për ekspertizë dhe më pas familjarët do ti japin lamtumirën e fundit.

Për gjetjen e trupit të 10-vjeçarit u angazhuan për 12 ditë më radhë polumbaret, të mbështetur nga policia e Mirditës, Shërbimi Zjarrfikës dhe banorë të zonës.

Kërkimet u zhvilluan në brigjet e lumit Fan, edhe në kushte të motit ekstrem.

Sevastian Laska u mbyt në ujërat e lumit Fan në Mirditë, pasditen e 5 prillit, teksa po luante me top bashkë me të vëllanë dhe fëmijë të tjerë.

Në një moment topi ju ka rënë në lumë dhe 10-vjeçari ka vrapuar për ta kapur, por është përpirë nga rrjedha e fortë e lumit.

Ngjarja rrezikoi të merrte përmasa dhe më tragjike, pasi në tentativë për ti ardhur në ndihmë vogëlushit rrezikoi jetën edhe vëllai i tij 3 vite më i madh.