Përçarja e shqiptarëve në Serbi, Arifi: Politika serbe nuk ndryshon edhe sikur të dërgojmë 10 deputetë në Beograd

Për shkak të pjesëmarrjes së ulët, në zgjedhjet që u zhvilluan pak ditë më parë në Preshevë,  asnjëra nga dy listat zgjedhore të pakicës shqiptare nga jugu i Serbisë nuk e kaloi pragun, kështu që shqiptarët nuk do të kenë përfaqësues të tyre në përbërjen e parlamentit të ri serb.

Ndërkohë, Kryetari i Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi, i cili  është kryetar i Komunës së Preshevë, në një intervistë për Ora News, tha se një nga arsyet se përse shqiptarët në Preshevë nuk morën pjesë në zgjedhjet, ishte spastrimi etnik që po u bëhet nga ana e Serbisë.

Ndër të tjera ai tha se shqiptarët në Preshevë janë të zhgënjyer nga politikat që ka bërë Serbia viteve të fundit, ndaj ata nuk presin ndryshime nga politika serbe.

Shqiprim Arifi: Një nga arsyet është spastrimi etnik i shqiptarëve në luginën e Preshevës. Serbia që në vitin 2011 ka filluar të bëjë pasiv shqiptarët në komunat e tyre. Që nga atëherë 6-10 mijë shqiptarë nuk kanë mundësi që të marrin pjesë në zgjedhje.

Një arsye tjetër është se shqiptarët në Luginën e Preshevës edhe pse kemi pasur 3 deputetë në parlamentin serbë, për shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk ka ndryshuar asgjë që prej 20 viteve.  Qytetarët janë dëshpëruar. Edhe sikur të dërgohen 10 deputetë të në Beograd, nuk presin që të ndryshojnë politikat serbe. 

Sipas tij, e vetmja mundësi që  të ketë deputetë shqiptarë në parlamentin e Serbisë është unifikimi i shqiptarëve.

Shqiprim Arifi: Garancia për të dërguar deputetë në parlamentin e Serbisë është unifikimi i shqiptarëve. Nuk është hera e parë që shqiptarët të përçahen në Luginën e Preshevës. Garancia për të dërguar deputetë në një numër më të madh në Beograd është unifikimi dhe marrëveshja e Tiranës në 2020. Partia e deputetit  Kamberi e ka braktisur në këtë vit.

Intervistoi Anila Zyberaj, përgatiti Anila Kolgjini.