Rusia ultimatum Bashkimit Evropian: Deri në 31 mars kompanitë evropiane të paguajnë me rubla

Presidenti Putin ka urdhëruar të hënën që kompanitë evropiane të konvertojnë monedhat e tyre në rubla deri në 31 mars nëse duan të vijojnë të furnizohen me gaz rus. Vendimi është kritikuar nga liderë evropianë, sepse sipas tyre janë shkelur kontratat.

Presidenti Vladimir Putin urdhëroi qeverinë ruse, Bankën Qendrore dhe kompaninë Gazprom që të kalojnë pagesat në monedhën rubla për të gjitha vendet jomiqësore të Moskës që furnizohen me gaz nga Rusia.

Presidenti u tha palëve ruse që të marrin masat për të ndryshuar në rubla të gjitha monedhat e pagesave për vendet e Bashkimit Evropian dhe jo vetëm.

Më 23 mars, Putin tha se nuk ka më asnjë arsye për të vazhduar përdorimin e dollarit dhe euros pasi SHBA-ja dhe BE-ja sanksionuan shtetin rus.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov ka thënë që Rusia nuk ka ndërmend të furnizojë vendet e BE-së pa para me gaz nëse nuk i konvertojnë monedhat e tyre në rubla.

Peskov: Procesi i furnizimit është shumë i komplikuar. Nuk po blihet një produkt në dyqan dhe po paguani në arkë. Është e qartë që ne nuk do të furnizojmë Evropën me gaz falas dhe aq më tepër në situatën që jemi ne nuk është e arsyeshme të bëjmë bamirësi ndaj Evropës.

Urdhri për të konvertuar valutën e vendeve të Evropës që importojnë gaz rus në Rubla shqetësoi disa vende të bllokut.

Kancelari Olaf Scholz e quajti vendimin e Kremlinit një shkelje të marrëveshjes pasi ajo ishte firmosur në dollar dhe euro dhe se Moska është e detyruar të respektojë kontratën.

Edhe kryeministri italian Mario Draghi e quajti transferimin e euros në rubla si shkelje të marrëveshjes