“Aleanca e NATO-s është në rrezik për shkak të luftës së Putinit në Ukrainë”
Lufta e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë i ka vënë aleancën e NATO-s dhe vendet anëtare të saj në rrezik, u tha gazetarëve të mërkurën një zyrtar i Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE).
Zyrtari e quajti Putinin "të pamatur" dhe tha se ai dhe rrethi i tij i ngushtë nuk kujdesen për jetën njerëzore.
“Nga Rusia, ne e kuptojmë se Putini dhe rrethi i tij i ngushtë, janë njerëz absolutisht të pamatur. Ata nuk kujdesen për jetën njerëzore. Ata gënjejnë publikisht për të fshehur operacionet e tyre ushtarake. Putini ka ndryshuar totalisht fjalimin e tij ndaj Perëndimit dhe ai ka një urrejtje të thellë ndaj shoqërive tona, ndaj vlerave tona, kështu që ne vërtet vlerësojmë se ai është i rrezikshëm dhe se aleanca është absolutisht në rrezik”, tha zyrtari të mërkurën.
Dy zyrtarë të SHAPE informuan gazetarët mbi qëndrimin ushtarak të NATO-s dhe se si ata po i përgjigjen pushtimit të Ukrainës nga Putin.
Konferenca vjen përpara udhëtimit të presidentit amerikan Joe Biden në selinë e NATO-s në Bruksel për t'u takuar me udhëheqësit e vendeve aleate të NATO-s, ndërsa kriza në Ukrainë vazhdon.
Lufta ka krijuar një realitet të ri për aleatët e NATO-s, tha një tjetër zyrtar i SHAPE, duke i bërë jehonë fjalëve të Sekretarit të Përgjithshëm Jens Stoltenberg në një konferencë shtypi të mërkurën.
Zyrtarët thanë se është shumë herët të parashikohet se si NATO do të ndryshojë përgjithmonë pozicionin e forcës së saj ushtarake në të gjithë Evropën për shkak të veprimeve të Putinit, por ata folën sesi qëndrimi ka ndryshuar deri më tani për të përforcuar krahun lindor, ku vendet aleate të NATO-s kufizohen me Ukrainën dhe për t'u siguruar që ata janë të përgatitur për çdo skenar që lufta në Ukrainë mund të shkaktojë për vendet e NATO-s.
